Alsat 2019-04-03T14:39:31+02:00
Vizita e parë e një kryeministri grek në Shkup të martën, vazhdon të marrë vëmendjen e mediave pikërisht për shkak se Marrëveshja për emrin mes palëve është akoma na fazë zbatimi. Të pyetur se pse gjatë pritjes së Ciprasit nuk u intonua himni shtetëror, nga Qeveria si arsye të vetme theksojnë kohën e kufizuar. Sipas tyre, himni i shtetit nuk ka qenë dhe nuk është pjesë kontestuese e cila është diskutuar mes palëve.
Për shkak të vonesës gjatë aterrimit të aeroplanit u anuluan të gjithë aktivitetet e pritjes që përfshijnë gardën, vendosjen e luleve dhe intonimin e himnit para Qeverisë. U larguan këto aktivitete që të fitojmë në kohë. Vizita ishte për punë dhe gjatë një dite kishte shumë aktivitete. Himni në asnjë moment nuk ka qenë kontestues – tha Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.
Mesazhi kyç i të parit të Qeverisë greke, Cipras, ishte se do të jetë i kënaqur kur përmendore të caktuara në Maqedoninë e Veriut të shënohen me mbishkrime se janë pjesë e civilizimit antik grek. Se cilat do të jenë ata përmendore akoma po shqyrtohet.
Komisioni do të vërtetojë se cilat janë ata përmendore. Është e qartë. Disa janë në qendër të Shkupit siç është përmendorja që disa e quajnë luftëtari në kalë. Ne para gjysmë viti kemi thënë që ai do të jetë Aleksandri i Maqedonisë sepse në fakt ashtu është. Megjithatë listën e plotë akoma nuk e kemi që ta themi – deklaroi Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.
Marrëveshja e Prespës parashikon që, brenda gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes, Maqedonia e Veriut duhet të rishikojë statusin e monumenteve, ndërtesave publike dhe infrastrukturës në territorin e saj dhe nëse ata në çfarëdo lloj mënyre i referohen historisë dhe civilizimit antik helen që është pjesë e historisë dhe kulturës së Greqisë, duhet të marrë hapa të përshtatshëm për përmirësim që në mënyrë efektive të adresohet çështje dhe të sigurojë respektimin e trashëgimisë së thënë.
Brenda gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes, pala e dytë duhet të rishikojë statusin e monumenteve, ndërtesave publike dhe infrastrukturës në territorin e saj dhe nëse ata në çfarëdo lloj mënyre i referohen historisë dhe civilizimit antik helen që konstituon një komponent integral të historisë ose kulturës trashëguese të palës së parë, duhet të marrë hapa të përshtatshëm për korrektim që në mënyrë efektive të adresohet çështje dhe të sigurojë respektimin e trashëgimisë së thënë – thuhet në Marrëveshjen e Prespës.
Një pjesë e Marrëveshjes së Prespës u zbatua me miratimin e ndryshimeve Kushtetuese që sollën ndryshimin e emrit të shtetit por marrëveshja parashikon edhe zbatimin e aspekteve të tjera mes të cilave edhe ata që kanë të bëjnë me çështje tregtie, komerciale dhe brendimi, që duhet të zbatohen në afat prej tre vitesh.
Fatlume Dervishi
Loading…