Gazetare: Evi Shkopi
– Advertisements –
Nga 1 dhjetori qeset plastike u hoqën përfundimisht nga përdorimi, ndërsa në vend të tyre çdo shitës duhet të shfrytëzojë qese të biodegradueshme, për të cilët qytetarët do të duhet të paguajnë 15 denarë copën.
Ky vendim u mirëprit nga shumica e qytetarëve edhe pse theksonin se çmimi i qeseve duhet të ishte më i ulët. Ata ironizonin duke thënë se një qese do të duhej ta paguanin sa një kilogram mollë.
“Unë mbaj gjithmonë torbë. Shfrytëzohen aq shumë qese që nuk janë të biodegradueshme dhe nuk është në rregull kjo gjë. Pajtohem me masën, tani, ndoshta çmimi nuk është në rregull, por le të gjinden qytetarët le të bëjnë diçka”, ishte shprehur një qytetar.
Ambientalistët mirëpresin vendimin për heqjen nga qarkullimi të qeseve plastike, por thonë se vendi ynë nuk ka kushtet e duhura për trajtimin e qeseve të bio-degradueshme. Davor Pehçevski nga “ Eko Svest”, thotë se ndërtimi i fabrikave për riciklim të mbeturinave është një tjetër masë e nevojshme në vend.
“Kushte të tilla në vendin tonë nuk ka për momentin. Ato që i quajmë qese të bio-degradueshme kanë aditive/ suplemente që aktivizohen përmes energjisë diellore. Megjithatë nga mënyra si grumbullohen mbeturinat në deponitë tek ne, ai aditiv nuk aktivizohet aspak. Si rezultat ato qese që I quajmë të biodegradueshme, nuk degradohen aspak, mirëpo qëndrojnë në deponi ashtu siç janë, bashkë me mbeturinat tjera, siç i hedhin”, kishte thënë Davor Pehçevski nga “Eko svest”.
Ministri i Planifikimit Hapësinorë, Naser Nuredini, thotë se prodhuesit do të kenë afat deri në 1 qershor të vitit 2023 që të përshtatin biznesin e tyre për prodhimin e qeseve të bio-degradueshme.
“Ideja e kësaj nuk është të grumbullojmë mjete, por të ulim përdorimin e qeseve të plastikës. E kuptojmë se nuk do të funksionojë që nga dita e parë, por qëllimi është që të hyjë në funksion sa më shpejt…. Çdo tre mujorësh, shitësit do të bëjnë pagesën në xhirollogarinë e fondit dhe më pas ato do të publikohen që qytetarët të dinë se sa janë grumbulluar”, kishte deklaruar Naser Nuredini- ministër për Planifikim Hapësinor.
Dikasteri i Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinorë planifikon që paratë që do të mblidhen ne fondin të shfrytëzohen për fushata për rritjen e vetëdijes, në projektet për mjedisin jetësorë, por edhe për të përkrahur bizneset që do të prodhojnë qese të bio-degradueshme./ Alsat.mk


