Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, realizoi sot një vizitë në terren në lagjen Saat Kullë, ku inspektoi nga afër vijimin e punimeve përgatitore për hartimin e dokumentacionit teknik të nivelit të projektit bazë, që parasheh ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe atij atmosferik.
Ky projekt përfaqëson një investim strategjik për zhvillimin e infrastrukturës themelore në këtë zonë urbane, me një vlerë prej 1 milion euro, i cili është përkrahur nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2024.
“Qëllimi kryesor i këtij projekti është sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm me ujë të pijshëm në përputhje me të gjitha standardet sanitare dhe higjienike, si dhe krijimi i një sistemi modern dhe efikas për menaxhimin dhe largimin e ujërave të ndotura dhe atyre atmosferike,” theksoi kryetari Ganiu gjatë vizitës.
Realizimi i këtij projekti pritet të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës për banorët e lagjes Saat Kullë dhe të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik në këtë zonë me potencial të lartë zhvillimi urban.