17 November
Sistemi për regjistrimin e komandave të policisë i njohur si “Tetra Sistemi” , për momentin është vënë në funksion. Këtë e konfirmoi vetë ministri brendshëm Oliver Spasovski, derisa bashkë me ambasadorin e Bashkimit evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar inspektuan nga afër punën e Tetra Sistemit. Ndryshe Spasovski paralajmëroi masa disiplinore për personat përgjegjës për mosfunksionimin e këtij sistemi, pikërisht në momentet kur në shtet kanë ndodhur rastet si “Monstra”, “Kumanova” dhe së fundmi zhvillimet e 27 prillit në Kuvend.
Kjo u pa me rastet e 27 prillit se një pjesë e tetra sistemit që ka qenë në shtab nuk ka funksionuar në disa momente. Ne morëm masa kemi edhe masa disiplinore ndaj përgjegjësit i cili është dashur të mbajë përgjegjësi për funksionin e tetra sistemit , kemi pasur edhe ekspertizë në këtë aspekt dhe janë bërë të gjithë hapat e duhur dhe tetra sistemi tash më punon në MPB dhe sot kishin një prezantim se si duhet ta zhvillojmë më shumë , ndërsa për rastin konkret, po ka përgjegjësi për personat përgjegjës -tha Oliver Spasovski ministër i brendshëm.
Alarmin për mos-funksionimin e tetra-sistemit e ngriti kohë më parë ish ministri i brendshëm Agim Nuhiu, i cili për Alsat deklaroi se në MPB që nga viti 2014, nuk ka funksionuar sistemi për regjistrimin e komandove për shkak të shkyçjes së dy serverëve në aparatin për incizimin e tyre.
Menjëherë kam kërkuar ekspertizë dhe vlerësim se vallë janë të incizuara të gjitha komandat që janë dhënë nga tetra sistemi. Kam thirrur ekspert gjerman dhe ai ka bërë vlerësimin se dy serverë nuk kanë qenë të kyçur në aparatin për incizim dhe se një gjë e tillë nuk funksionon nga vitit 2014 – pati deklaruar Agim Nuhiu, ish -ministër i brendshëm.
Mos funksionimi i tetra-sistemit në Ministrinë për Punë të Brendshme sipas ekspertëve të kësaj fushe është vepër penale dhe tentim për të fshehur gjurmët e krimeve. Ky sistem ka për qëllim të shihet vendndodhja e policëve dhe automjeteve por edhe të regjistrojë çdo urdhër dhe komandë të dhënë apo të marr në polici.
Senat Zylbehari

