Zjarri në deponinë e Drisllës vazhdon të jetë aktiv, ndërkohë që janë vënë nën kontroll 27 zjarret e tjera që shpërthyen në ambient të hapur në 24 orët e fundit. Më serioz ishte zjarri në rajonin e Strumicës, i cili iu afrua vendbanimeve. Zjarri u vendos nën kontroll pas mobilizimit të plotë të zjarrfikësve vendorë, ndërsa në ndihmë u erdhën edhe ata nga qytetet e tjera. Kreu i Strumicës bën thirrje për ndërgjegjësim, thotë se me zjarrin nuk ka lojë.
“Arritëm për kohë të shpejtë ta neutralizojmë përkatësisht ta lokalizojmë zjarrin, pa pasur shtëpi të djegura apo mos dashtë Zoti viktima njerëzore. Unë edhe njëherë këtu bëj apel për vetëdijesim dhe ndërgjegje. Edhe sa viktima duhet të japim që të vetëdijesohemi se nuk luhet me zjarrin”, tha Kostadin Kostadinov, Kryetar i Strumicës.
Të gjitha zjarret kanë filluar nga ndezja e mbetjeve të kashtës nëpër fusha, por autoritetet thonë se edhe era e fortë e kishte bërë të veten.
“Vetë era e ka bërë të veten…01:45 U mobilizuan njësiti i zjarrfikësve nga Strumica dhe kërkuam ndihmë edhe nga qytetet fqinje, Radovish, Vallandovë dhe Gjevgjeli”, tha Aleksandar Gudev, komandant i njësisë zjarrëfikëse territoriale Strumicë.
Nga fillimi i muajit deri dje, janë shënuar gjithsej 484 zjarre në ambient të hapur me përmasa më të mëdha. Prej tyre, 23 ishin zjarre nëpër pyje, ndërsa të tjerat, nga ndezja e barit të thatë, mbetjeve të kashtës, si dhe deponi./Alsat.mk