Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti deklaroi sot, se eurointegrimet e vendit vazhdojnë të jenë ndër prioritetet kryesore të koalicionit VLEN. Ai beson se qeveria aktuale, ka kapacitet demokratik dhe i ka numrat e nevojshëm për të çuar përpara proceset në këtë rrugë.
Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i RMV-së
“Ka qenë, është dhe mbetet prioriteti më i lartë integrimi i vendit në Unionin Evropian. Nuk hyjmë në të kaluarën, sa është trumpetuar, por VLEN në mënyrë të përditshme me partnerët e Qeverisë, me partnerët strategjik, çdo ditë nga pak, po punojmë në këtë drejtim ta afrojmë Maqedoninë e Veriut drejt Unionit Evropian, që është e vetmja alternativë për qytetarët e vendit”.
Duke folur për 100 ditëshin e Qeverisë, Mexhiti ka përsëritur edhe sot se opozita ka pasur një rol destruktiv gjatë kësaj periudhe dhe akuzon atë, se po përdor gjyqësorin për politika ditore.
Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i RMV-së
“Ne u përballëm me një opozitë destruktive, të cilët çdo ditë kritikojnë me dhe pa të drejtë dhe njëkohësisht, i hapën disa çështje nga e kaluara, të cilat nuk i kanë mbyllur siç duhet, siç është ligji i gjuhëve, balancuesi, badenteri. Kanë pasur mjaftë kohë, 8 vite, që t’i zgjidhin por, nuk i zgjodhën dhe tash keqpërdorin edhe pushtetin gjyqësor për politikë ditore, fatkeqësisht i instrumentalizojnë për destabilizim dhe për krijimin e amullisë, që të shëptojnë nga përgjegjësia”.
Mexhiti të dielen duke prezantuar punën e koalicionit VLEN në 100 ditët e para të qeverisë, tha se po punohet intesivisht në zbardhjen e rasteve të korrupsionit dhe se më tej, me këto raste nuk do të merret politika, por organet e drejtësisë.
Teuta Buçi /SHENJA/