Kandidati për kryeporkuror, Vlladimir Pançevski, i cili të martën nuk mori mendim pozitiv nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, ka paraqitur kallëzim penal kundër kryetarit, zëvendëskryetarit dhe anëtarëve të Këshillit, duke pretenduar se ata kanë keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë shqyrtimit të kandidaturës së tij. Sipas arsyetimit të Këshillit, Pançevski nuk i plotëson kushtet për të paktën 10 vjet përvojë pune si prokuror publik ose gjykatës në fushën e së drejtës penale.
Megjithatë, Pançevski pretendon se anëtarët e Këshillit e kanë shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe i kanë tejkaluar kompetencat ligjore në kundërshtim me nenin 62 paragrafi 1 alineja 1 të Ligjit për Prokurorinë Publike. Ai i bëri thirrje Qeverisë që ta anulojë procedurën, duke theksuar se Këshilli nuk ka kompetencë të bëjë interpretim autentik të ligjeve, por vetëm t’i zbatojë ato.
Ndërkohë, Pançevski ka publikuar një dokument nga Gjykata Themelore Penale Shkup, sipas të cilit ai ka qenë gjykatës nga 8 shkurti 2008 deri më 28 korrik 2020. Sipas vërtetimit, ai ka stazh prej 12 vitesh, 5 muajsh dhe 20 ditësh – gjë që, sipas tij, i hedh poshtë drejtpërdrejt konstatimet e Këshillit.
Sipas interpretimit të Këshillit, kandidati duhet të ketë stazh aktiv deri në ditën e aplikimit, ndërsa Pançevski pretendon se ligji kërkon vetëm stazh të përgjithshëm.
VLLADIMIR PANÇEVSKI,
“Kam paraqitur kallëzim penal për keqpërdorim të pozitës zyrtare kundër Bashkim Besimit – kryetar i Këshillit, Marjana Ilievskës – zëvendëskryetare dhe anëtarëve Jelena Dogazanska Koleva, Zorica Pavloviq, Ermon Neziri, Keti Petkova, Svetlana Stojkoviq, Dushica Dimitrieska, Ardian Demiri dhe Fatih Aliu”.
Në kallëzim thuhet se ata, në seancën e mbajtur më 17 shkurt 2026, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurorinë Publike dhe e kanë privuar nga e drejta ligjore për të marrë pjesë në procesin e mëtejmë zgjedhor. Pançevski vlerëson se kallëzimi penal është “pasqyrim i sistemit të kalbur gjyqësor dhe u bëri thirrje Qeverisë, Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që të reagojnë dhe ta sqarojnë procedurën.
Samir Mustafa /SHENJA/


