Diaspora dhe mosrespektimi i gjuhës shqipe kanë qenë shkas i përplasjeve të reja ndërmjet Bashkimit Demokratik për Integrim dhe koaliconit VLEN. Opozita shqiptare përmes një reagimi zyrtar ka shprehur indinjatë të thellë ndaj qasjes selektive, dhe përjashtuese të qëllimshme të Qeverisë aktuale ndaj diasporës shqiptare në anketën e prezantuar nën titullin “Anketa për diasporën maqedonase 2025”.
Nga atje thonë se vetëm pas reagimit të opozitës gjatë ditës së djeshme, kjo qeveri pa legjitimitet etnik, nxitimthi u detyrua të përkthejë anketën edhe në gjuhën shqipe.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Ky përkthim nuk e zhbën faktin thelbësor: diaspora shqiptare nuk njihet, nuk përmendet dhe nuk përfaqësohet. Anketa, siç mund të shihet lehtësisht në versionet maqedonisht dhe anglisht të shpërndara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe përfaqësitë diplomatike, flet vetëm për “diasporën maqedonase” – “Makedonska dijaspora” dhe “Macedonian diaspora”, Ky formulim nuk është i rastësishëm dhe nuk është teknik. Siç përcaktohet qartë në Marrëveshjen e Prespës, mbiemri aqedonas/maqedonase” është përkufizim etnik dhe jo shtetëror.
Me kundër-reagim për këtë çështje ka dalë edhe koalicioni VLEN nga ku thonë se kjo është një shpifje e “Botës Serbe” siç VLEN e ka cilësuar opozitën përshkak se siç thonë ata s’mbulojnë dot të vërtetën, shqipja po forcohet si asnjëherë më parë!
VLEN
Përfaqësuesit e ‘Botës Serbe’ dhe mjeshtrit e dezinformatave, tashmë të njohur nga listat e zeza amerikane, sërish kanë shpërndarë lajme të rreme, duke inskenuar një “shqetësim” për faktin se një organizatë joqeveritare maqedonase nuk e kishte përfshirë gjuhën shqipe në një anketë të dedikuar për diasporën. Si gjithmonë, edhe ky rast doli të jetë një fake neës klasik, një tjetër blof i dalë nga repertori i propagandës së vjetër. Anketa në fjalë është hartuar nga një shoqatë plotësisht e pavarur, joqeveritare, dhe nuk ka asnjë lidhje me Qeverinë.
Kjo nuk është hera e parë që VLEN dhe partitë pjesë e Frontit Europian përplasen për çështjen e diasporës. Më herët ata janë përplasur edhe për çështjen e regjistrimit të diasporës. VLEN akuzonte BDI-në për fshirje të qëllimshme të dasporës përmes metodologjisë, ndërkaq, BDI akuzonte VLEN-in për fshirje gjithashtu të qëllimshme për arsye politike të VMRO-së.
Mevludin Imeri /SHENJA/