Rezultatet e zgjedhjeve lokale të 19 tetorit janë definuar 100 për qind dhe tanimë flitet konkretisht me numra të saktë. Përderisa, kutitë e votimit po heshtin, një stuhi tjetër ka nisur. Përplasjet politike mes pozitës dhe opozitës, kanë shpërthyer me intensitet të ri.
Nga koalicioni VLEN kanë akuzuar kreun e ASH-së, Arben Taravari pas mosrealizimit të censusit në komunat Gostivar dhe Vrapçishtë. Ata e cilësojnë si përgjigje ndaj akrobacioneve politike që u bënë për interesa personale.
VLEN
“Në rend të parë, kjo është përgjigje ndaj Arben Taravarit, e më pas ndaj Isen Shabanit, të cilët menduan se shqiptarët do t’i ndjekin pas në lojërat e tyre politike, duke i ndërruar parimet si të ishin monedha kusuri. Sado që mund të trumbetojnë arsye, sovrani me këtë veprim i dha një shuplakë të nxehtë politikës së ndërrimit të parimeve për interesa të imta personale. Taravari shkoi për gjashtë komuna, ngeli me katër dhe përfundoi me ZERO”.
Ndërkaq, i mënjëhershëm ka qenë reagimi i partisë së Taravarit. Ata theksojnë se pa VMRO-DPMNE, VLEN nuk do të ekzistonte më në skenën politike, ndërsa shtojnë se Aleanca Kombëtare për Integrim ka marë mbi 23 mijë vota më shumë se VLEN-i.
ALEANCA PËR SHQIPTARËT, KRAHU I ARBEN TARAVARIT
“VLEN në këto zgjedhje u dëshmua se nuk ka mbështetjen e shqiptarëve. Me votat e VMRO-së ndoshta shpëtuan diku, por moralisht janë rrëzuar. Pa VMRO-në, VLEN nuk do të ekzistonte më në skenën politike. Bojkoti i censuseve në Gostivar e Vrapçisht ishte thikë pas shpine për kandidatët e tyre – që u përdorën si kurbanë. Arben Taravari fitoi bindshëm sepse qytetarët zgjodhën dinjitetin dhe jo pazaret politike në dëm të shqiptarëve”.
Në vend që të shpikin justifikime, nga ASH deklarojnë se VLEN duhet të reflektojë, duke parashtruar pytje publike, se pse kanë humbur në terren, pse mbetën pa njerëz, dhe pse askush nuk u beson më.
Samir Mustafa /SHENJA/