Deputetët e LSDM-së kërkojnë nga kolegët e VMRO-DPMNE-së të tërhiqen nga diskutimet për shkarkimin e kryeprokurorit publik Marko Zvërlevski, por një gjë e këtillë është e papranueshme për opozitën maqedonase. Koordinatori i grupit parlamentar të socialdemokratëve, Tomisllav Tuntev, nga foltorja e Kuvendit u ka bërë apel deputetëve të partisë së Gruevskit që të jenë më efikas dhe në emër të përshpejtimit të proceseve reformuese të mos e bllokojnë shkarkimin e Zvërlevskit.
“Edhe një herë apel, ajde të bëjmë diskutim normal, të pjekur, i cili nuk do të na dërgojë në prolongimin e të gjithë punës për shkak se të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe i gjithë opinioni ndërkombëtatr presin shkarkimin e z. Zvërlevskit që të fillojnë proceset, por kjo nuk është vetëm dëshira jonë”, deklaroi Tuntev.
Një kërkesë e këtillë ishte e papranueshme për deputetët e VMRO-DPMNE-së. Ilija Dimovski deklaroi se nuk mund të ketë zgjidhje të problemeve kur nuk ka zgjatje të dorës për një gjë të tillë.
“Rrjedhë të matur dhe normale në diskutim të kuvendit duhet të ketë, dhe ne bëjmë thirrje, por për të gjithë këtë duhet të ketë zgjatje të dorës, të cilën lideri juaj e premtoi në promovimin e Qeverisë. Zgjatje të dorës do të thotë ulje, bisedim dhe gjetje të zidhjeve të përbashkëta”, tha Dimovski.
Edhe në ditën e dytë të debatit për shkarkimin e kryeprokurorit Marko Zvërlevski, nga opozita maqedonase kërkuan më tepër pauza, ndërsa për fjalë janë të paraqitur më shumë se 80 deputetë. Pa marrëveshje mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së debati për shkarkimin e Zvërlevskit mund të zgjasë deri në muajin shtator.
Mefail Ismaili
Vazhdon debati për shkarkimin e Zvërlevskit by tvshenjaofficial

