Edhe një natë e kaluar nën ethet e dridhjes së tokës për banorët e rajonit të Ohrit. Edhe një natë, siç thonë edhe vet ata e kaluar pa gjumë. Dy tërmete me maginutidë 3.9 dhe 3.7 shkallë sipas Rihterit, ishin të mjaftueshëm të ndizet përsëri alarmi se dridhjet e tokës nuk kanë përfunduar.
Epiqendra e dridhjes më të fortë ishte 7 kilometra larg Ohrit, 6 kilometra larg Koselit dhe në thellësi prej 6 kilometrave.
Një pjesë e madhe e banorëve të Ohrit tani më kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe kanë ngritur tenda në qiell të hapur ku edhe e kalojnë natën. Nuk është i vogël numri edhe i atyre që natën e kalojnë nëpër makinat e tyre.
Për banorët e Ohrit, ministria e mbrojtjes ka hapur kampin ushtarak në Shën Naum, ku po strehohen një pjesë e banorëve.
Si pasojë e tërmeteve të pandërprera në pikun e sezonit turistik Ohri është i boshatisur. Turistët që ishin duke pushuar në Ohër janë larguar pasi dridhjet e tokës nuk po ndalen ndërkohë është i madh edhe numri i atyre që kanë anuluar prenotimet edhe pse të paguara paraprakisht.
Që nga 18 qershori deri tani rajoni i Ohrit është dridhur nga mbi 1200 tërmete.
Më i fuqishmi u regjistruar më 3 korrik me magnitudë prej 5.0 shkallë. I njëjti u ndje në tërë territorin e Maqedonisë, por edhe jashtë saj, si në Shqipëri dhe Kosovë.
Edhe pse tërmetet nuk mund të parashikohen, sizmologët vlerësojnë se nuk duhet të pritet një tërmet tjetër më i fuqishëm dhe se toka në Ohër ngadalë po qetësohet.
Enis Murtezi /SHENJA/
Vazhdojnë dridhjet në Maqedoninë jugperëndimore by tvshenjaofficial

