Haraçina është edhe një vendbanim tjetër shqiptar që ka mungesë të ujit të pijshëm, raporton SHENJA. Ky problem sipas banorëve nuk është i ri, por i kahmotshëm, por tani që është edhe sezoni e verës e kanë edhe më të vështirë të ballafaqohen me këtë mungesën e ujit. Ujin e pijshëm thonë banorët janë të detyruar që ta blejnë nëpër shitore, ndërsa ujë për nevoja shtëpiake duhet ta bartin me vetura prej fshtarave të tjera përreth.
“Haraçina është me 17 afër 20 000 banorë, kemi problem jo vetëm më ujësjellësin, kemi edhe shumë problem tjera, por pika më e rëndësishme është kjo, ballafaqohemi me këtë problem diku afër 10 viteve e më shumë. Ujë për të pirë jo që jo, por edhe për shtëpi, është problem i madh për nënat tona, për gratë tona. Për çdo ditë udhëtojmë për të mbushur ujë nëpër fshatrat tjera”, ka deklaruar një banor.
“Ka mbi 350 shtëpi Haraçina, ujësjellës nuk ka. Ka një ujësjellës, por ai nuk është i pijshëm…Uji i pijshëm prej kur e mbaj mend unë uji nuk është pirë asnjëherë, e kemi sjellur prej bjeshkëve me veturat tona, ose e kemi blerë nëpër shitore”, tha një banor.
Edhe më e vështirë thonë banorët është për ata që nuk kanë vetura dhe nuk kanë se si të bartin ujin prej ndonjë vendi tjetër. Banorët thonë se kanë kërkuar vazhdimisht zgjidhjen për këtë problem, mirëpo sipas tyre pushtetet e deritanishme kanë qenë të verbër dhe të shurdhër ndaj kërkesë së tyre.
“Vështirë është, dikush që nuk ka vetura, për atë nuk e di çfarë të them. Unë e kam një fqinjë që banon afër meje, nuk ka ujë as për të pirë, as për brenda nuk ka ujë”, tha një banor tjetër.
“Ujë s’kemi, as higjienë. Vije erë nga kanalizimi, nuk mund të qëndrosh këtu as dy orë gjatë natës…Nuk ka ujë të pijshëm, ja bartim me vetura, në Hasanbeg, ku të mundemi”, u shpreh një banor.
“Ujësjellësi në Haraçinë është lëshuar diku para 8-9 viteve, por nuk ka pasur asnjëherë, me vetura bartin ujë për pije, me vetura bartin ujë për mirëmbajtjen e shtëpisë. Kush ka vetura mirë, por kush nuk ka shumë problem për to. Jemi vetëm 10 km afër qendrës, kryeqytetit, askush nuk e sheh atë se si duhet ën shekullin 21 të jenë qytetarët…Duhet të merren masa, por pushtetet e deritanishme gjithmonë kanë qenë edhe të verbër edhe të shurdhër në këtë kërkesën tonën”, deklaroi një banor.
Haraçinasit edhe njëherë bëjnë apel që organet kompetente ta marrin me seriozitet kërkesën e tyre për ujë të pijshëm, pasi sipas tyre është shumë absurd fakti që në shekullin 21 ende të ketë mungesë të një kushti elementar për jetë.
Emine Ismaili /SHENJA/
Uji i pijshëm, problem i kamotshëm për Haraçinën by tvshenjaofficial

