Vendimi që Xhamia e Re në Manastir, të shndërrohet në muze të trashëgimisë kulturore krishtere dhe islame, po shkakton reagime të fuqishme nga faktorët vendas dhe rajonal.
Gjatë këtyre ditëve përveç që kishte reagime nga Bashkësia Fetare Islame në RMV, faktori politik shqiptar dhe OJQ të ndryshme, nuk kanë munguar reagimet as nga faktori politik turk, shoqëria civile në vend dhe rajon.
Lidhur me këtë vendim arbitrar dhe të paarsyeshëm, ku vendi i adhurimit tentohet të shëndrrohet në muze, nuk ka lënë pa zë as turqit e Maqedonisë së Veriut, të cilët njëzëri dhe në mënyrë të ashpër kanë dënuar këtë vendim.
Kryetari i Departamentit për Turqit që Jetojnë Jashtë Atdheut dhe Marrëdhëniet me Komunitetet Mike (YTB), Abdullah Eren, ka publikuar një mesazh dënimi lidhur me shndërrimin e Xhamisë së Re në Manastir në muze. Eren ka thënë se kjo që po ndodh me Xhaminë e Re në Manastir është një vendim i papranueshëm dhe i padrejtë.
ABDULLAH EREN, KRYETAR I YTB-SË
“Shndërrimi i Xhamisë së Re, e njohur gjithashtu si Xhamia Kadi Mahmud, një trashëgimi e të parëve tanë në Manastir, një nga qytetet më të rëndësishme të Maqedonisë së Veriut, në një të ashtuquajtur ‘Muze të Trashëgimisë Kulturore të Krishterimit dhe Islamit’, duke e shkëputur këtë vend adhurimi nga funksioni i saj origjinal, është një vendimi të padrejtë dhe krejtësisht i papranueshëm. Shpresoj që autoritetet e Maqedonisë së Veriut, të tërhiqen menjëherë nga ky vendim dhe që Xhamisë së Re t’i rikthehet statusi si vend adhurimi dhe t’u vihet në dispozicion funksionimi për myslimanët. Dua të theksoj në mënyrë të veçantë, se Turqia, gjithmonë do të jetë pranë bashkëkombësve dhe komuniteteve vëlla të Maqedonisë së Veriut”
Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATUSITEB), ka reaguar në lidhje me vendimin e palogjikshëm që Xhamia e Re në Manastir është kthyer në muze.
MATUSITEB
“Vendimi që pas dyerve të mbyllura, ku Xhamia Kadi Mahmud ose e njohur si Xhamia e Re, një trashëgimi osmane në Manastir, është kthyer në ‘Muze e Krishterimit dhe Islamit’, përbën një mungesë respekti ndaj vlerave historike dhe kulturore.
Ky vendim i paligjshëm jo vetëm që dëmton kulturën e bashkëjetesës, por gjithashtu lëndon ndjenjat e bashkëkombësve tanë dhe të myslimanëve. Dënojmë ashpër këtë vendim, dhe u bëjmë thirrje autoriteteve që të heqin dorë menjëherë nga ky gabim”
Përveç sektorit civil turk, ku ditë më parë dënuan vendimin për Jeni xhaminë, Shoqata Kulturore “Kopru”, shoqata “Genç Kalemler”, redaksia e lajmeve turke në vend – TIMEBALKAN, reagime të ashpëra kanë pasur edhe politikanët turq në vendin tonë.
Në lidhje me këtë situatë ditë më parë, përfaqësuesi i Lëvizjes së Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, profesor Sulejman Baki, dhe deputeti nga Fronti Europian, Salih Murat, kanë thënë se ky vendim arbitrar dhe i paligjshëm është në kundërshtim me vlerat themelore të vendit tonë, kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare, ndërsa u kërkua rikthimi i kësaj vepre islame-osmane në origjinalin e saj.
Kryetari i Partisë Demokratike Turke (TDP), njëherazi edhe deputet nga Fronti Europian, Bejxhan Iljas, ka dënuar ashpër vendimin për shndërrimin e Jeni xhamisë në muze të trashëgimisë kulturore krishtere dhe islame.
BEJXHAN ILJAS, KRYETAR I PARTISË DEMOKRATIKE TURKE
“Xhamia e Re ose Xhamia Kadı Mahmud Efendi në qytetin e Manastirit, është shndërruar në Muze të Trashëgimisë Kulturore Kristiane-Islame nga Instituti i Muzeve të Manastirit. E dënoj ashpër këtë vendim, ku kjo vepër osmane-islame, e cila më herët është përdorur si Galeri Arti, tani po kthehet në muze. Kultura e bashkëjetesës përshkruhet përmes dialogut dhe paqes, ndërsa diversiteti pranohet dhe respektohet si e tillë. Për ne, nuk është aspak e pranueshme, që një vepër islame osmane të degradohet në këtë mënyrë. I bëj thirrje autoriteteve shtetërore që të korrigjojnë menjëherë këtë padrejtësi”
Reagim në lidhje me vendimin për Xhaminë e Re në Manastir, ka pasur edhe nga partia turke Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve (TMBH) e Erdogan Saraçit, parti kjo e cila është pjesë e koalicionit qeveritar VMRO-ZNAM-VLEN. Theksohet se objekti fetar i ndërtuar në vitin 1558 nga Kadı Mehmed Efendi, në vend që t’i rikthehej funksioni i saj i mëparshëm, është shndërruar në një muze që bie në kundërshtim me qëllimin për të cilin u ndërtua.
LËVIZJA PËR BASHKIM KOMBËTAR TË TURQVE
“Shkatërrimi i një xhamie që për më shumë se 350 vite ka shërbyer besnikërisht si vend adhurimi dhe i është qëndruar besnik qëllimit të saj origjinal, është një akt që nuk mund të pranohet në asnjë rrethanë. Me keqardhje të madhe vlerësojmë se ky veprim i Muzeut të Manastirit, mund të nxisë tensione ndërfetare. Ne duam të theksojmë që për turqit, shqiptarët dhe romët, që janë minoritete në Manastir, dhe përgjithësisht për myslimanët, ky veprim do të jetë shumë i rëndë dhe tepër i dëmshëm. Që nga viti 1994, kur për herë të parë kërkuam që kjo xhami t’i rikthehej funksionit të saj, ku tashmë kanë kaluar 30 vjet, është e papranueshme që kjo vepër historike turko-islame të mbetet ende larg qëllimit për të cilin u ndërtua, edhe atë pa asnjë justifikim të vlefshëm”
Në reagim thuhet se nëse gjatë 530 viteve të sundimit osman në këto troje do të ishin ndërtuar xhami mbi themelet e kishave, nuk do të kishte mbetur asnjë kishë e vetme. Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve rikujton se kjo xhami një herë ka shërbyer edhe si ‘Galeria e Arteve Mosha Pijade’, ndërsa qëllimi për ta mbajtur larg funksionit të saj origjinal, sot është shndërruar në një politikë shtetërore.
“Fatkeqësisht, Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut, e cila është palë e drejtpërdrejtë në këtë çështje, nuk ka mundur të mbajë qëndrimin e duhur ose, ndoshta, si rezultat i ndonjë pazari, e ka braktisur atë, që këtë nuk mund ta dijmë”, janë shprehur nga Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve.
/SHENJA/