Ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski ka deklaruar se deri më tani janë mbi 23 persona të dyshuar lidhur me fatkeqësinë e zjarrit në diskotën “Pulse” në Koçan dhe se 11 nga të dyshuarit janë në paraburgim. Ai theksoi se sot janë ndaluar edhe 5 persona, ku në mesin e tyre është edhe një ish ministër, të cilët po përgjigjen para organeve kompente.
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Në SPB Shkup dhe SPB Tetovë janë ndaluar 5 persona dhe janë duke u intervistuar. Mes tyre është edhe një ish-ministër. Janë kryer kontrolle tek dy zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë, në një zyrë kontabiliteti dhe në shtëpinë e pronarit. Lëshimi i licencave për objekte të tilla është nën juridiksionin e Ministrisë së Ekonomisë, ndërsa licenca për këtë diskotekë është e falsifikuar. Në Shtip dje janë ndaluar 13 persona – pronari, anëtarë të sigurimit, punëdhënësi, shitësi i biletave, inspektorët nga inspektorati i tregut dhe inspektorati i punës dhe pronari i objektit”.
Toshkovski bëri të ditur se mjetet piroteknike në diskotekë i ka sjellë grupi “DNK”, ndërsa personi përgjegjës për përdorimin e tyre ka ndërruar jetë .
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Nga një bisedë me një pjesëtar të grupit të DNK, u konstatua se lëndët piroteknike i kishte sjellë grupi. Fatkeqësisht, personi që ishte përgjegjës për përdorimin e tyre ka ndërruar jetë. Lidhur me mjetet piroteknike do të dorëzohet një raport në Prokurorinë Publike dhe më pas do t’i dërgohet kërkesë MPB-së, e cila do të konstatojë shtesë nëse ato mund të ishin përdorur pa certifikatë. Në objekt janë konstatuar një sërë parregullsish, të cilat i ka përmendur edhe prokurori publik”.
Sipas Toshkovskit, diskoteka ka funksionuar në një objekt, qëllimi i të cilit ishte industria e lehtë dhe jo hoteleria, në të cilin kishte vetëm dy aparate për të fikur zjarrin për të gjithë hapsirën. Ai tha se koncerti është mbajtur në mënyrë të pa rregullt sepse nuk kishte marrëveshje me shkrim mes organizatorit dhe interpretuesve. I pyetur lidhur me sigurimin e diskotekave të tilla nga ana e MPB-së Toshkovski tha se MPB-ja nuk është e obliguar të sigurojë çdo objekt hoteliere në Maqedoni dhe në rastin në fjalë nuk ka pasur raportim në MPB për nevojën e punonjësve policorë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/