Edhe 30 ditë paraburgim për Bekim Maksutin, ish drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si njëri nga të dyshuarit për zjarrin në Koçan. Maksuti në burg qëndron tashmë dy muaj prej kur Gjykata Penale e Koçanit vendosi për paraburgimin e tij. Kurse para se më pak se një javë, ish ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi u lëshua në paraburgim shtëpiak, pasi Gjykata e Koçanit vendosi që masën e paraburgimit për Bekteshin, ta zëvendësoj me paraburgim shtëpiak.
Në paraburgim shtëpiak janë edhe dy ish ministrat e tjerë të Ekonomisë Valon Saraçini dhe Bekim Neziri. Nën të njejtën masë janë edhe tre ish kryetarët e komunës së Koçanit, ashtu si dhe shumë zyrtarë policorë dhe shef policor të Koçanit.
Në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan që shpërtheu në orët e hershme të mëngjesit të 16 marsit, 59 persona ndërruan jetë dhe rreth 200 u lënduan. Më pas numri i të vdekurve u rrit pasi edhe 3 pacientë vdiqën derisa po mjekoheshin nëpër spitale. Të lënduarit nga tragjedia shumicë prej tyre u dërguan për trajtim jashtë shtetit, ndërsa disa u mjekuan brenda vendit.
Nga hetimet për tragjedinë deri tani janë përfshirë 59 persona si të dyshuar, prej tyre 19 janë në paraburgim efektiv, 13 në paraburgim shtëpiak, 12 me masë kujdesi dhe një është në mjekim.
Hetimet për këtë rast ende po vazhdojnë.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/