Përfaqësuesit politik të komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut kanë reaguar lidhur me brohoritje raciste dhe anti-shqiptare të tifozëve maqedonas gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë, ku prezent në sallë ishte edhe kryeministri Hristijan Mickoski, bashkë me përfaqësuesit e kabinetit qeveritar.
Kryetari i Partisë Demokratike Turke (TDP), Zylfikar Zejnula, deputeti i TDP-së nga Fronti Europian, Bejxhan Iljas, si dhe deputeti turk Salih Murat, përmes rrjeteve sociale kanë reaguar lidhur me ngjarjen që ndodhi ditë më parë në Kumanovë.
Lidhur me thirrjet raciste anti-shqiptare, kryetari i TDP-së, Zylfikar Zejnula, ka shkruar se brohoritjet raciste dhe fyese ndaj vëllezërve shqiptarë gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë i kanë tronditur thellësisht.
ZYLFIKAR ZEJNULA, KRYETAR I TDP-SË
“Ne jetojmë bashkë në këto troje. Turq, shqiptarë, maqedonas dhe të gjitha komunitetet e tjera në Maqedoninë e Veriut mund të ecim përpara vetëm mbi baza të respektit të ndërsjellë dhe barazisë. Sporti është një fushë që duhet të forcojë vëllazërinë, jo të kthehet në mjet për urrejtje dhe diskriminim. Kjo është e papranueshme”.
Edhe deputeti i turk nga Fronti Europian, Bejxhan Iljas, ka dënuar thirrjet raciste të tifozëve maqedonas në Kumanovë.
BEJXHAN ILJAS, FRONTI EUROPIAN
“Ndeshjet sportive duhet të jenë një mjet që bashkon popujt, jo që i nxit ata kundër njëri-tjetrit! Fatkeqësisht, këto brohoritje me përmbajtje fashiste përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj strukturës multietnike dhe multikulturore të vendit tonë.
Ndërkaq, edhe deputeti tjetër i Frontit Europian, Salih Murat, thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në Kumanovë, i ka vlerësuar si deklarata që dëmtojnë vlerat tona të përbashkëta si shoqëri.
SALIH MURAT, FRONTI EUROPIAN
“Deklaratat që dëmtojnë paqen shoqërore, që nuk janë në përputhje me vlerat tona të tolerancës dhe që janë kundër kulturës sonë të bashkëjetesës, e të cilat u shprehën në prani të anëtarëve të qeverisë, nuk janë në përputhje me vlerat e vendit tonë”
Sipas tij, heshtja e autoriteteve lidhur me këto ngjarje shkakton shqetësim nga aspekti i paqes shoqërore./SHENJA/