Pas takimit me eurokomesarin Johanes Han, edhe deputeti i PDSH-së, Menduh Thaçi, është prononcuar për media. Ai nuk ka komentuar takimin me eurokomesarin, por është shprehur i bindur që Gruevski dhe Ahmeti kanë marrëveshje për Qeverinë, të cilën sipas Thaçit, e mbështet edhe Zijadin Sela.
“Kam përvojë të jashtzakonshme, i njoh aktorët dhe lojtarët kryesorë. Jo që mendoj, por kam bindjen që Gruevski dhe Ahmeti kanë marrëveshje. Nuk është aspak sjellje korrekte nga ana e tyre që të malltretojnë qytetarët, që të malltretojnë edhe bashkësinë ndërkombëtare. Megjithatë ta shohim se a do të del kjo e vërtetë. Më 28 janar pasdite, janë takuar zotëri Ahmeti dhe zotëri Aleanca (Zijadin Sela), dhe janë marrë vesh që Aleanca ta mbështesë Qeverinë mes Gruevskit dhe Ahmetit, të votojnë për Qeverinë, të votojnë për kryetarin e Parlamentit, sepse ai duhet të jetë shqiptar, dhe duhet të votojnë ligje të caktuara të cilët janë shumë të rëndësishëm. Këto janë informacionet e sakta, gjithçka tjetër është spekulim”, tha Thaçi.