Qindra qytetarë në Tetovë sot protestuan kundër kompanisë energjetike EVN. Marshi i qytetarëve filloi nga qendra e qytetit dhe vazhdoi deri tek zyra kryesore e EVN-së në Tetovë. Para zyrës së EVN-së qëndronin një numër i madh i policëve për të ndaluar qytetarët që të mos hynin brenda objektit. Para turmës së tubuar, Blerim Fejzulli, nga Këshilli organizativ i protestave në emër të qytetarëve i shprehi disa nga kërkesat dhe pakënaqësitë jo vetëm ndaj EVN-së por edhe ndaj kompanisë ELEM dhe Mepso.
“Kërkojmë nga EVN e Maqedonisë, të mos inkasojë taksa nga kyçje të konsumatorëve prej 500 eurove, pasi një gjë të tillë e ka të ndaluar me ligj. Taksat i vendon ligjvënësi e jo operatori privat. Të ndërpresë urgjentisht anulimin e kyçjeve të vjetra, me qëllim që të inkasojë nga kyçjet e reja për objektet ku kryhet rikonstruimi. Të identifikojë saktë keqpërdoruesit e të mos i penalizojë të gjithë konsumatorët, duke i fryrë faturat e harxhimit të energjisë elektrike, me arsye se ka humbje”, tha Blerim Fejzulli nga Këshilli organizativ i protestave të EVN-së.
Përfaqësues nga inicativa qytetare u bënë thirrje partive politike, të cilëve ata i dhanë votën në njësinë zgjedhore numër 6, që të mos flenë deri sa qytetarët përballen me këtë problematikë.
“Do të bëj një pyetje publike: Ku janë sot ata të cilët ne i votuam? Në këtë njësi zgjedhore numër 6, pa marrë parasysh etnitë, problemet i kemi të përbashkëta”, tha njëri nga qytetarët.
Kjo është protesta e tretë me radhë ndaj kompanisë për distribuimin e rrymës elektrike EVN. Protesta e fundit ishte të premten e kaluar ku protestuan një numër i madh qytatarësh kryesisht kundër faturave të shtrenjta të rrymës elektrike.
Emine Ismaili /SHENJA/