Dhuna në Kuvend ka qenë një skenar i planifikuar mirë, ndërsa organizatorët janë: Nikolla Gruevski, Gjorge Ivanov, Trajko Velanovski dhe realizues Mitko Çavkov. Kështu tha në emisionin “Arena”, anëtari i LSDM-së, Edmond Ademi. Ai tha se turma ka pasur target të caktuar dhe se është ditur se kush duhet të sulmohet. Sipas tij VMRO-DPMNE ka pasur lidhje direkte me strukturat kriminele që atë ditë sulmuan në Kuvend.
“Nëse keni parë dosjen që e kanë, kanë biografi vrasës, dhunues, me drogë, kriminel. Ajo është struktura e cila në koordinim me VMRO-DPMNE e bëri atë që e bëri. Shifet qartë lidhshmëria dhe këtu nuk ka shumë filozofi, nuk ka shumë për tu analizuar, fakte janë aty me emër dhe mbiemër ne e i kemi publikuar, tha Edmond Ademi nga LSDM.
Nga ana tjetër, Arianit Hoxha nga Lëvizja BESA tha se sulmi në Kuvend është bërë nga huliganë të VMRO-DPMNE-së. Qëllimi i VMRO-së, sipas tij, përgjatë këtyre viteve në pushtet ka qenë Maqedonia të jetë etnikisht e pastër.
“Nëse për VMRO-në ky ishte populli unë nuk e di se me cilin popull ai do ta mbajë Maqedoninë. Kjo as më pak as më shumë nuk është asgjë më tepër, thjeshtë banda huligane të cilat i ka nën kontroll VMRO-DPMNE, dhe qeverisja që e ka mbajtur, dhe aty fatkeqësisht duam apo jo ne, dikush prej partive shqiptare e ka ndihmuar në të kaluarën që t’i frymëzon këto banda kriminele”, tha Arianit Hoxha.
Nga ana tjetër Agron Biba tha se duhet sa më shpejtë të formohet qeveri me qëllim parandalimit të ikjes së rinisë nga vendi.
“Kjo VMRO i shkon dashuria nga Beogradi, nëse e shohin Beogradin në ëndrrat e tyre dhe nuk i duan shqiptarët, pa dyshim se unë do ta shoh si DPMNE”, thotë kolumnisti Agron Biba.
Më tej gjatë debatit duke folur për shpifjet ndaj Lëvizjes BESA, Arianit Hoxha tha se të gjitha këto shpifje kanë një adresë- Artan Grubi. Sipas tij, në tentim për të mbuluar mosprezencën e kryetarit të BDI-së, Ahmeti, atë ditë në Kuvend, Grubi shpif për Lëvizjen BESA. E vërtetat, sipas Hoxhës, është se atë ditë deputetët e BESËS kanë qenë në sallë dhe kanë legjitimuar zgjedhjen e Talat Xhaferit, ndërsa çështje sekondash ka qenë që deputetët e BESËS të ballafaqohen me turmën e huliganëve.
“Është për të ardhur keq që një deputet i sojit të tillë siç është Artan Grubi të kërkoj vdekjen e deputetëve shqiptarë. Ne e dimë se ai rrjedh nga një bekgraundhuliganësh dhe ai është mësuar që t’i fut shqiptarët në kësi skenarë, i ka futur shqiptarët në Kala. Pyetja që duhet parashtruar është kjo: Çka vlen më shumë Ali Ahmeti se Ziadin Sela “, tha Arianit Hoxha nga Lëvizja BESA.
Ndërkaq Edmond Ademi tha se mund të konfirmojë se deputetët e BESËS ishin në Kuvend kur u lexua betimi dhe kur u zgjodh Talat Xhaferi.
“Me rëndësi është që forcat politike, shumica e re, me rëndësi është që hapi i parë drejt debllokimit u bë, ndërsa tani pason formimi i një qeverie reformiste”, tha Edmond Ademi nga LSDM.
Debatuesit në Arena u pajtuan se Maqedonisë i duhet sa më shpejt një qeveri e re e cila do të nis procesin e reformave dhe kthimin e vendit në rrugën euroatlantike.
Enis Murtezi /SHENJA/
Të ftuarit në “Arena”: Dhuna, vepër e dirigjuar… by tvshenjaofficial