Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë për ndryshimet në Ligjin për Mbikëqyrjen Inspektuese, të cilat rrezikojnë pavarësinë dhe funksionimin efektiv të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve. BDI thotë se ky inspektorat është një organ kyç për garantimin e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore të qytetarëve. Me ndryshimet e fundit, Kuvendi ka hequr statusin e personit juridik për të gjitha inspektoratet, duke i vendosur nën kontroll të plotë të ministrive përkatëse.
BDI
“Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve është rregulluar me dy ligje të veçanta – Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligjin për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, të cilët qartësisht e përcaktojnë këtë inspektorat si një person juridik. Në përputhje me parimin ligjor se ligji special ka përparësi ndaj ligjit të përgjithshëm, këto dispozita nuk mund të ndryshohen apo të anulohen nga një ligj i përgjithshëm siç është Ligji për Mbikëqyrjen Inspektuese”.
Duke argumentuar në këtë mënyrë BDI vlerëson se qeveria dhe Ministria e Drejtësisë nuk kanë asnjë bazë ligjore për të vendosur këtë inspektorat nën varësinë e plotë të ministrisë dhe duhet menjëherë të sigurojnë se ky institucion do të vazhdojë të funksionojë në mënyrë të pavarur, siç e përcakton ligji. Sipas tyre çdo përpjekje për të reduktuar pavarësinë e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve do të konsiderohet si sulm ndaj të drejtave gjuhësore të qytetarëve shqiptarë dhe një hap prapa në respektimin e barazisë gjuhësore të garantuar me Kushtetutë dhe Marrëveshjen e Ohrit.
BDI paralajmëron se nuk do të qëndrojë indiferent ndaj këtij rreziku dhe do të ndërmarrë të gjitha masat institucionale dhe demokratike për të siguruar që Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve të mbetet një institucion i pavarur dhe i aftë për të mbrojtur të drejtat gjuhësore të qytetarëve. /SHENJA/