Vetëm pak minuta stuhi ishin të mjaftueshme që rrugët në Maqedoninë e Veriut të mbushen me degë të thyera, pemë të rrëzuara dhe dëme të shumta materiale. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme j janë raportuar 145 automjete të dëmtuara, 46 çati të dëmtuara, 189 pemë të rëzuara, 7 semaforë të dëmtuar, dhjetëra të lënduar, shtylla elektrike të rrëzuara në fshatrat Dobroshinci dhe Gradoshorci si dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në fshatin Svidovicë.
Pasojat e motit të lig janë ndjerë në disa rajone, veçanërisht në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Veles, Strumicë, Makedonski Brod dhe Shtip. Ndërsa nga MPB poashtu theksuan se stuhia shkaktoi dëme edhe në disa institucione shtetërore dhe objekte me rëndësi jetike.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Stuhia shkaktoi dëme edhe në disa institucione shtetërore dhe objekte me rëndësi jetike, duke përfshirë objektet e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kompleksin ‘Vila Vodno’, Bazën Policore të Aeroportit Petrovec, ndërtesën ‘Nova Makedonija’, si dhe në objektet e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Prokurorisë Publike”.
Pasojat më të mëdha u regjistruan në zonën e Sektorit për Punë të Brendshme Shkup ku deri në orën 22:00, u regjistruan 117 automjete pasagjerësh të dëmtuara, 35 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara, 7 semaforë të rrëzuar.
Në zonën e SPB-së të Kumanovës, u raportuan 9 automjete të dëmtuara dhe 3 çati të dëmtuara. Në zonën e SPB-së së Tetovës janë regjistruar 5 ngjarje, nga të cilat 3 ishin dëmtime të automjeteve të pasagjerëve dhe 2 ishin dëmtime të çative.
Ndërkaq në zonën e SPB-së së Velesit janë raportuar dy raste të dëmtimit të automjeteve të pasagjerëve të shkaktuara nga pemët e rrëzuara. Në zonën e SPB-së së Strumicës janë raportuar shtylla elektrike të rrëzuara në fshatrat Dobroshinci dhe Gradoshorci, si dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në fshatin Svidovicë.
Në zonën e SPB-së së Manastirit nuk janë regjistruar pasoja të rëndësishme. Në zonën e SPV-së së Shtipit janë regjistruar 14 raste të dëmtimit të automjeteve të pasagjerëve dhe 6 raste të dëmtimit të konstruksioneve të çative. Po ashtu, nga MPB thonë se dëme ka pasur edhe Brenda Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare Veri.
Anida Murati /SHENJA/



