Pas vendimit të Gjykatës Administrative, nesër do ketë rivotime në një vendvotimin në komunën e Tearcës. Në vendvotimin 2011 ka të regjistruar 714 votues, me përbërje të përzier etnike, por me dominim të shqiptarëve. Në zgjedhjet e 11 dhjetorit në vendvotimin 2011 kanë votuar 404 persona. Vlerësohet se ky rivotim do të jetë vendimtar për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, numrin e mandateve, por edhe për formimin e Qeverisë së ardhshme.
Edhe ky proces zgjedhor do të vëzhgohet nga sektori joqeveritar. Nga qendra për Liri “Civil” njoftuan se në Tearcë ka vendosur vëzhgues tashmë disa ditë, për të vëzhgouar situatën në këtë komunë para rivotimit.
Nga “Civil” njoftuan se këtë e kanë bërë me qëllim që të kontribuojnë për forcimin e vetëdijes publike për të drejtën votuese, dhe të veprojnë në mënyrë parandaluese kundër parregullsive zgjedhore.
Edhe nga Asociacioni qytetar MOST kanë njoftuar se nesër do ta vëzhgojë rivotimin në vendvotimin 2011 në Komunën e Tearcës me vëzhgues dhe dy ekipe mobile. Vëzhguesit e MOSTit do të njihen për nga bluzat e verdha me krahë të gjatë dhe në mënyrë të obligueshme do të posedojnë akreditim të dhënë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Ndërsa, qytetarët, parregullsitë eventuale gjatë ditës mund t’i paraqesin në linjën telefonike falas 080 080 080.
Lidhur me procesin zgjedhor të vitit 2016 në Maqedoni, dhanë vlerësimet e tyre edhe nga Qendra për Kulturë dhe Zhvillim si realizuese e projektit “Parandalim i dhunës gjatë periudhës së zgjedhjeve”. Nga kjo qendër vlerësojnë se zgjedhjet e fundit kaluan pa asnjë incident, ndërsa presin që edhe rivotimi i së dielës të kalojë po ashtu pa incidente dhe në mënyrë të qetë.
Mefail Ismaili /SHENJA/
Sot heshtje zgjedhore, nesër votime historike… by tvshenjaofficial