Lidhja e Sindikatave të RMV-së ka dorëzuar propozim në qeveri për rritjen e pagës minimale për 6000 denarë, ka njoftuar kryetari i LSM-së Sllobodan Trendafilov. Në propozim siç bëri të ditur Trendafilov kërkohet që për rritjen për 6000 denarë, punëdhënësit të lirohen nga pagesat e kontributeve. Ai tha se tani është koha që partnerët social t’i zgjasin duart dhe të përmirësojnë standardet e jetesës së të punësuarve.
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LIDHJES SË SINDIKATAVE
“Apelojmë Qeverinë dhe punëdhënësit që ta pranojnë propozimin e LSM-së ndërsa deputetët, ashtu siç ishin bashkë për t’i ruajtur shpenzimet e tyre për transport, të votojnë për propozimin e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, për rritje shtesë të pagës minimale për 6.000 denarë, që do të thotë edhe rritje shtesë e pagave të tjera në vend. Ne nuk po ndërhyjmë në politikën tatimore, përkundrazi. Me rritjen e pagave, ne nuk do të shkojmë në banka për t’i kursyer mjetet që kemi marrë si rritje, por me to do të blejmë produkte ushqimore bazë që tatohen me normë prej 5, 10, 15 ose 18 për qind e kështu me radhë”.
Trendafilov tha se nëse nuk arrihet marrëveshje për rritje të pagës minimale nuk përjashtohet mundësia edhe për grevë të përgjithshme.
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LIDHJES SË SINDIKATAVE
“Çdo votë kundër pagës minimale më të lartë do të thotë votë “PËR” një biletë me një drejtim nga shteti. Ne duhet të takohemi më së voni deri më 15 mars dhe të paktën të përcaktojmë pagën minimale, sepse kontabilistët duhet të bëjnë përllogaritje dhe paga të jepet jo më vonë se 15 prilli. Nëse dikush vendos të jetë i vrazhdë, ne do të jemi dyfish të vrazhdë, nëse dikush vendos që në mënyrë të njëanshme të refuzojë iniciativën apo propozimin për ruajtjen e standardit jetësor të punëtorëve, ne mund të marrim vendim të njëanshëm për grevë.
Trendafilov tha se deputetët në vend që të marrin 2000/2500 euro shpenzime udhëtimi, le të votojnë që pagat e punëtorëve të rriten për 6000 denarë. “Sot ka ardhur koha të zgjedhim nëse jeni pro apo kundër punëtorëve” theksoi ai, duke kujtuar se pagat në rajon variojnë nga 400 deri në 800 euro.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/