Shumica parlamentare po përgatit ndryshimet në Ligjin për Prokurori Speciale dhe për Dëshmitarët e Fshehur që disa herë Prokuroria Speciale i theksoi si të patjetërsueshme për punën e saj. Janë përgatitur ndryshimet e nevojshme ligjore dhe janë prezantuar para grupeve parlamentare dhe ditëve në vazhdim do duhet të dalin para deputetëve për votim. Tomisllav Tuntev nga LSDM thotë se doemos Katica Janeva duhet të jetë personi i vetëm i cili do ta dijë identitetin e informatorit dhe për hetimet e ekipit të saj nuk duhet lidhur për afate kufizuese.
“Gjatë ditëve në vazhdim do ti dorëzojmë propozim ndryshimet në Ligjim për PSP për vazhdimin e mandatit, dhe Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve me të cilin PSP gjatë hetimeve do të ketë punë të papenguar, do të ketë më shumë autonomi dhe pavarësi në vendimarrje(10:42)Doemos duhet të ketë autonomi të plotë në hetime dhe përndjekje dhe prokurori speciale duhet të jetë i mbrojtur nga ndikimet e jashtme”, tha Tomisllav Tuntev.
Përfaqësuesit e partive në Kuvend thonë se do të përkrahin çfarëdo iniciative që do të vejë në funksion sundimin e së drejtës, por shprehen të dëshpëruar nga puna e deritanishme e speciales e cila ka kursyer funksionarët e BDI-së.
Zeqirija Ibrahimi, nga Lëvizja BESA tha se do ta përkrahin një iniciativë të tillë pasi janë të bindur se kjo shkon në favorin e drejtësisë në Maqedoni por edhe për zbardhjen e rasteve të montuara për shqiptarët
“Prokuroria Speciale është dëshmuar si shumë e shpejtë në kërkesat e pushtetit për t’i pastruar ministrat e BDI-së për të cilët vetë Zaev thoshte se janë të korruptuar, por akoma skemi parë asgjë konkrete që ka të bëjë me zbardhjen e rasteve të montuara kundër shqiptarëve”, tha Ibrahimi.
Ndërsa, Syrija Rashidi, nga Aleanca për Shqiptarët tha se një prej arsyeve të mos zabrdhjes është frika e dëshmitarëve për të dalë para gjykatës të dëshmojnë.
“Nevojitet një ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe nëse nuk ka ne jemi të gatshëm ta propozojmë. Ne gjithmonë kemi kërkuar nga Prokuroria Speciale që të mos ngurrojë dhe në kohë të procesuojë rastet që kanë të bëjnë me shqiptarët, sidomos ato të montuara politike”, tha ai.
Vetëm VMRO DPMNE-ja kundërshton me të gjitha forcat çfarëdo asistence për Speciales pasi e konsideron si institucion politik që përndjek VMRO-në dhe kursen Qeverinë e Re.
“Nuk do të jemi pjesë e ligjeve që kanë për qëllim zgjatjen e jetëgjatësisë së një Prokurorie politike dhe partiake ku një parti, VMRO DPMNE është fajtore për gjithçka, ndërsa gjitha të tjera, parti, indidivë nga LSDM, BDI, Aleanca, kryetar komunash, ministra e të tjerë janë Nënë Tereza. Nuk duam të hapim kapituj të ri për diçka që është dëshmuar si instrument politik dhe nuk ka lidhje me drejtësinë dhe sundimin e së drejtës por është vetëm përzierje në politikë”, tha Antonio Milloshovski, VMRO DPMNE.
Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Ejup Alimi, nuk gjeti kohë të prononcohet para kamerës. Por shkurtimisht në bisedë telefonike tha se qëndrimi i partisë së tij është se ata do të përkahin iniciativat që i lehtësojnë punën PSP-së dhe e ndihmojnë drejtësinë të dalë në shesh.
Në qoftë se votohen ndryshimet, Prokuroria Speciale do të ketë mundësi që të vazhdojë me hetimet dhe do të mund tu marrë deklarata dëshmitarëve që deri më tani janë frikësuar të flasin për rastet e ndjeshme si MONSTRA, SOPOTI, LAGJA E TRIMAVE e të tjerë. Praktika e deritanishme ka qenë që prokurori është dashur të dërgojë emrin e propozuar të dëshmitarit potencial të fshehur ta dërgojë tek kryeprokurori dhe më pas për emrin të vendos edhe një këshill prej disa prokurorësh, por me ndryshimet e propozuara, vetëm Katica Janeva dhe policët e angazhuar për të mbrojtur dëshmitarin do ta dijnë se kush është informatori.
Ferikan Iljazi – Arifi /SHENJA/
Shumica parlamentare përgatit Ligj për… by tvshenjaofficial

