Gjykata Kushtetuese e anuloi seancën e sotme ku duhej të vendosej për kushtetutshmërinë e Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Në seancë, ashtu siç kishin paralajmëruar munguan dy gjykatësit shqiptar Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, ndërsa sallën e lëshoi edhe gjykatësi turk Fatmir Skender për shkak se nuk u pranua kërkesa e tij që seanca të anulohej dhe të vazhdonte kur të ishin prezentë edhe dy kolegët e tij shqiptarë. Ajo që u vendos sot ishte që të mbahet seancë përgatitore në të cilën do të dëgjohen mendimet e ekspertëve.
Pasi përfundoi seanca, kryetari i gjykatës, Darko Kostadinovski mbajti konferencë për media, në të cilën u shpreh se këtë periudhë janë përballur me siç tha një dhunë politike të pashembullt, ndikim dhe presion drejtë Gjykatës Kushtetuese. Por, kjo siç tha është si rezultat mungesës elementare të kulturës politike. Ndërsa në pyetjen se përse është zgjedhur pikërisht tani momenti për ta trajtuar këtë temë, Kostadinovski u përgjigj po me pyetje se kur do të ishte koha ideale për ta vendosur në rend dite.
Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese
“Kur i dëgjoj ato pyetje përse tani? Si, përse tani? Vallë pesë vite a është periudhë e shkurtë kohore? Shpesh e dëgjoj pyetjen përse përkon me qëndrimin e ndonjë partie politike. Nëse kjo çështje do ishte zgjidhur para 5 vitesh, ne sot nuk do të ishim këtu. Ndërsa ne ndonjëherë duhet ta zgjedhim këtë. Kë ta pyesim, kur duhet, kur është ajo koha ideale? 2030”.
Ishte propozimi i gjykatëses së lëndës Elizabeta Dukovska që të ketë një seancë përgatitore, propozimi i së cilës kaloi me 5 vota pro dhe një kundër.
Elizabeta Dukovska, gjykatëse kushtetuese
“Vlerësoj se kemi përgjegjësi të bindim qytetarët në paanshmërinë tonë dhe të hedhim poshtë të gjitha dyshimet të cilat ekzistojnë në opinion. Propozoj të mbahet seancë përgatitore për këtë lëndë. Është fakt se ka kohë që nuk kemi mbajtur seancë të këtillë. Nuk do të humbim asgjë nëse mbahet një seancë përgatitore”.
Mirëpo, kundër propozimit të koleges së saj u deklarua, gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila që sot njoftoi se nuk do të marrë pjesë në atë seancë përgatitore.
Dobrilla Kacarska, gjykatëse kushtetuese
“Nuk ka nevoj të mbahet seancë përgatitore. Lënda është e qartë. Kush janë ata ekspertë që do të na tregojnë neve çka është kushtetuese e çka jo, atë duhet ta themi ne. Kemi mendim edhe nga Komisioni i Venecias, i cili thotë se ne duhet të vendosim dhe ka rekomandime konkrete”.
Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, në mesin e tyre edhe partitë politike VMRO-DPMNE dhe Levica.
Sipas kryetarit të Kushtetueses seanca përgatitore mund të mbahet në fillim të marsit të vitit që vjen dhe i pëlqen dikujt apo shtoi ai vendim për këtë lëndë do të ketë.
Emine Ismaili /SHENJA/