Grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët, krahu I Arben Taravarit sa vjen e tkurret. Pas dorëheqjes së deputetit Salim Sulejmanit, Mimoza Musa është deputetja e radhës e cila lëshoi Taravaritn dhe vendosi të jetë pjesë e shumicës parlamentare të përbërë nga VMRO-DPMNE, Lëvizja ZNAM dhe koalicioni VLEN. Deputetja vendimin e saj e ka kumtuar përmes një postimi në Facebook, ku mes tjerash shkruan se nuk është në politikë për interesa personale, por për t’i shërbyer me dinjitet dhe përgjegjësi çdo votuesi që besoi në këtë mision.
MIMOZA MUSA, DEPUTETE
“Po kalojmë një periudhë të vështirë politike dhe me të drejtë shumë përkrahës, miq e bashkëpunëtorë pyesin: Me kë është deputetja Mimoza Musa? Sot, në një klimë politike të trazuar, dua të jem e qartë me ju: Unë jam deputete e Aleancës për Shqiptarët. Besimin që ma dhatë nuk do ta tradhtoj. Nuk jam këtu për interesa personale, por për t’i shërbyer me dinjitet dhe përgjegjësi çdo votuesi që besoi në këtë mision. Ndryshimi ka nisur dhe ne do ta çojmë përpara”.
Të premten në mbrëmje Aleancës për Shqiptarë, krahu I Arben Taravari mbajti Kuvendin e jashtëzakonshëm në qytetin e Kumanovës, me kërkesë të mbi 2/3 të numrit të përgjithshëm të kuvendarëve. Taravari bëri të ditur se nga pozita e kryetarit të Kuvendit është shkarkuar Arben Fetai dhe në vend të tij është emëruar Nazim Taipi, i cili deri më tani ka ushtruar postin e nënkryetarit të ASh-së.
ARBEN TARAVARI, ASH
“Për shkak të veprimeve të cilat janë kundër partisë, kryetari i Kuvendit u shkarkua dhe prej sot kryetar i ri i Kuvendit u zgjodh Nazim Taipi”.
Janë ndryshuar edhe disa anëtarë të Komisionit statutar dhe juridik si dhe janë përjashtuar edhe tetë anëtarë të kryesisë.
Pak javë më parë, Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Arben Taravari doli nga koalicioni VLEN dhe vendosi të shkojë e vetme në zgjedhjet lokale. Pas daljes nga VLEN doli edhe nga qeveria. Në ndërkohë nisën përçarjet, një pjesë e funksionarëve dhanë dorëheqje, ndërsa një pjesë tjetër vazhdoi të mbetet në qeveri. Me t’u shkëputur nga koalicioni VLEN, fraksioni i Arben Taravarit numëronte 5 deputetë, ndërkaq tani numëron vetëm 3 deputetë: Rijad Shaqiri, Halil Snopçe dhe Sadik Sulejmani. /SHENJA/