Propozim ligji për Qeveri me të cilën ekzekutivi synon shfuqizim të qeverisë teknike ka kaluar sot filtrin e parë të procedurave parlamentare. Shumica parlamentare në seancën e sotme votoi me procedurën të shkurtuar nevojën për miratimin e ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Administratës Publike. Zëvendësministri i administratës, Laze Jakimovski në elaborimin e propozimit para deputetëve, tha se me këtë zgjidhje ligjore krijohen kushte për eliminimin e arsyeve objektive për të cilat ishte vendosur modeli i qeverisë teknike. Ai më tej tha se, propozim ligji ka për qëllim të sigurojë stabilitet, siguri juridike dhe mbrojtje të interesit publik të qytetarëve.
Laze Jakimovski, zëvendësministër i Administratës
“Për shkak të nevojës për përdorim racional dhe të përgjegjshëm të financave publike, forcimin e stabilitetit institucional dhe sigurimin e legjitimitetit të plotë demokratik të Qeverisë si bartëse e pushtetit ekzekutiv e zgjedhur nga Kuvendi, me këtë propozim-ligj vendoset një kornizë e qartë dhe e zbatueshme juridike, e cila do të garantojë zgjedhje të drejta dhe transparente përmes institucioneve të themeluara me Kushtetutë dhe ligje, si dhe do të eliminojë zgjidhjet e përkohshme të vendosura me marrëveshje politike në të kaluarën”.
Deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski, tha se miratimi i këtij propozim ligji me procedurë të shkurtuar është në kundërshtim me parimet e vendosura dhe agjendën reformuese. Ai bëri thirrje për rikthimin e dialogut dhe konsensusit brenda Kuvendit, me qëllim që të ruhet modeli i dakorduar.
Oliver Spasovski, LSDM
“Ligji për qeveri është pjesë e listës së ligjeve për agjendën reformuese.Me atë që sot, dëshironi të sillni ligj për qeveri, me procedurë të shkurtuar në vend se me procedurë të rregullt, nuk do të mund t’i plotësojmë ato kritere për agjendën reformuese. Sepse, agjenda reformuese parasheh një qasje sistematike dhe të thelluar. Është e nevojshme të kthehemi te formati përmes të cilit është miratuar kjo zgjidhje ligjore, me konsensus dhe dialog ndërmjet partive politike”.
Ndërkaq, deputeti i VMRO – DPMNE-së, Nikolla Micevski tha se pushteti tentoi të arrijë konsensus gjatë takimit të liderevë në lidhje me këtë çështje, por opozita ka qenë ajo që ka ndryshuar qëndrim. Ai tha se qeveria teknike është zgjidhje e vjetëruar, ndërsa sqaroi se, ndryshimet e reja ligjore do të vlejnë jo nga zgjedhjet e ardhshme, por nga zgjedhjet pas asaj.
Nikolla Micevski, VMRO – DPMNE
“Do të ketë kohë të mjaftueshme që të dorëzohen amendamente, të diskutohet për çdo amendament në veçanti dhe më pas të vihet në votim kjo zgjidhje ligjore. Nëse dëshironi të impononi perceptim se jemi në vitin 2016 dhe se duhet të ulemi sërish diku për të shqyrtuar këtë zgjiidhje ligjore, provuam të organizojmë një takim liderësh për këtë, i ndërroni qëndrimet në mënyrë të çuditshme prej asaj se duhet të shfuqizohet qeveria teknike në atë se duhet të votohet sërish”.
Qeveria teknike doli nga Marrëveshja e Përzhinës e vitit 2015, si përgjigje ndaj krizës së atëhershme politike dhe mosbesimit në procesin zgjedhor. Modeli parashikonte që njëqind ditë para zgjedhjeve parlamentare të formohej një qeveri kalimtare, me kryeministër të propozuar nga pushteti, por edhe me ministra nga opozita në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe zëvendësministra shtesë në disa resorë.
Teuta Buçi /SHENJA/

