Shefqet Hallaqi i ka dërguar video materiale prej 140 gigave prokurores së rastit “Monstra” Fatime Fetait, që kanë të bëjnë me këtë rast. Fetai në seancën e sotme për “Monstrën” solli screnshotat e bisedave që i ka bërë me Hallaqin, më 19 qershor të këtij viti, kur ai e ka kontaktuar nëpërmes Wats App-it. Shefqet Kallaqi, është i dënuar me 40 viteve burg në rastin “Lagja e Trimave”.Ndërkaq ndër personat që kanë kontaktuar në këto video janë Orce Kamçev me Olivera Trajkovskan si dhe Ali Ahmeti me një person të panjohur. Për ti dëgjuar këto video, gjykata do duhet të vendos nëse do të pranoj edhe praninë e opinionit, ose do t’i përjashtoj ato.
Tabelë: Fatime Fetai, prokurore
“Ashtu si i kam marrë këto materiale, ashtu edhe i kam dorëzuar. Disa kanë të bëjnë me rastin ‘Monstra’, e disa jo, mirëpo unë i kam sjellë të gjitha, që të mos më thoni se po fsheh diçka. Prisni tani dhe dëgjoni, është koha”.
Ndërkaq, prokuroria deri te gjykata erdhi edhe me prova të tjera, që nuk kanë qenë të prezantuara deri më tani. Ndër tjera, është edhe raporti i ekspertizës nga vendi i ngjarjes, i cili u sqarua në mënyrë të detajuar.
Mbrojtja thekson se grupi i punës i përbërë prej 11 ekspertësh ka konstatuar që në këtë procedurë ka pasur shumë mungesa për vetë ekspertizën që është bërë më herët.
Naser Raufi, avokat mbrojtës
“Del që ka pasur shumë mungesa nga vetë komisioni. Dua të them që këtë raport që sot e prezantoi prokuroria është me propozim të prokurorisë së krimit të organizuar dhe i përgëzoj për të njëjtën. Metëvërtetë doli ajo që e kemi thënë deri tash për aspekt të provave, që kemi pas të drejtë ne si palë mbrojtëse, praktikisht kundërshtimet tona që kanë qenë për vetë ekspertët, për laboratorit që kanë qenë në shtetin tonë, tash dolën në mejdan”.
Ndërkaq, nga pala e dëmtuar shprehen se ekspertiza e re shkon në favor të të akuzuarve, mirëpo kjo nuk nënkupton se ata nuk vazhdojnë të jenë të akuzuar.
Dafinka Ivanovska, avokate e djemve të vrarë
“Është bërë një analizë e plotë, janë marrë mostra, prova dhe gjithçka që ka qenë e nevojshme për tu realizuar ekspertiza në mënyrën e duhur, pasi mbrojtja e të akuzuarve më herët është ankuar se nuk është në mënyrën e duhur. Kjo tani shkon në favor të tyre, por nuk do të thotë se ata nuk janë të akuzuar ose diçka tjetër. Ata le të thonë çfarë të donë, megjithatë duhet pasur parasysh atë se në vendin e ngjarjes kanë dalur menjëherë ekipe nga të gjitha aspektet profesionale dhe janë ndërmarrë të gjitha metodat dhe teknikat”.
Për vrasjen e pesëfishtë që ndodhi më 12 prill 2012, ku u vranë të rinjtë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Acovski dhe Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, me burg të përjetshëm u dënuan Halil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailloviq, Fejzi e Haki Aziri, si dhe Sami Luta. Mirëpo, tani rasti është në rigjykim dhe të dyshuarit janë liruar nga akuza fillestare.
Emine Ismaili /SHENJA/
https://www.youtube.com/watch?v=Pa8sMJAgbQc&feature=emb_title