Bashkimi Evropian do të ndihmoj zhvillimin e infrastrukturës në Maqedoni me 70 milionë euro. Mjetet janë pjesë e fondit që Bashkimi Evropian planifikon ti ndaj për lidhshmërinë infrastrukturore të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të iniciativës “Procesi i Berlinit”, shuma e përgjithëshme e së cilës është 194 milionë euro për gjashtë vendet e këtij rajoni. Në samitit e djeshëm që u mbajt në Trieste të Italisë Maqedonia është përfituesja më e madhe sipas zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev. Ai vlerëson se granti i ndarë nga BE është rezultat i angazhimit të Qeverisë së re në procesin e reformave.
“Nga gjithsej grantet e ndara në vendet e Ballkanit Perëndimor, që arrijnë vlerën në 194 milionë euro, Maqedonia mori 70 milionë euro, që do të thotë nga gjithsej mjetet financiare 40 përqind i përkasin si grante Maqedonisë. Ne si qeveri thellë e vlerësojmë këtë ndihmë dhe të njëjtën e ndjejmë si përgjegjësi të madhe për t’u orientuar drejt reformave, edhe atë jo vetëm për nevojat e anëtarësimit në BE, por edhe për të orientuar reformat në përmirësimin e jetës së çdo qytetari të Maqedonisë”, deklaroi Angjushev.
Përveç grantit të pakthyeshem nga BE-ja prej 70 milionë eurove, në këtë samit janë dakorduar edhe shumë projekte të tjera dhe kredi në mbështetje të zhvillimit të Ballkanit Perëndimor.
“Praktikisht përmes mbështetjes me këtë projekt, BE-ja dëshiron të dërgojë mesazh se ne si vende të Ballkanit patjetër duhet të jemi më të lidhur mes vete dhe më shumë të bashkëpunojmë me fqinjët. Praktikisht komunikimi ynë pasqyrohet përmes zhvillimit të infrastrukturës, e cila duhet të mundësojë më lehtë të komunikojmë si njerëz dhe si ekonomi”, tha Angjushev.
Angjushev njoftoi se grantet për Maqedoninë janë ndarë për pjesën e hekurudhës drejt Bullgarisë, që do të lidh Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë, lidhje infrastrukturore e cila, siç tha ai, vlerësohet tej mase nga Qeveria e Maqedonisë dhe BE-ja.
Teuta Buçi
Samiti i Triestes i sjell Maqedonisë 70 milionë… by tvshenjaofficial

