Komuna e Likovës rezulton me një sërë shkeljesh serioze financiare dhe menaxheriale. Enti Shtetëror i Revizionit ka përfunduar kontrollin e raporteve financiare dhe pajtueshmërisë për vitin 2024, duke konstatuar mangësi të thella në pothuajse të gjitha segmentet e punës së komunës.
Sipas raportit, Likova nuk ka siguruar arkëtimin adekuat të të ardhurave vetanake, përfshirë tatimet, taksat dhe kompensimet komunale.
ENTI SHTETËROR I REVIZIONIT
“Mbi 12.5 milionë denarë kërkesa nuk figurojnë fare në evidencë, ndërsa për tatimin në pronë, në shumën mbi 73 milionë denarë, nuk janë ndërmarrë masa për arkëtim të detyruar. Nuk është llogaritur as kamata për pagesat e vonuara, dhe komuna vazhdon të mos ketë një regjistër të pronës së paluajtshme, duke bërë që qindra tatimpagues të paguajnë shumë më pak sesa duhet”.
Revizioni thekson se Komuna e Likovës nuk ka respektuar Ligjin për kontabilitetin e buxheteve: raportet financiare janë përgatitur gabimisht, librat afarist nuk janë mbyllur, ndërsa nuk mbahet as libri i pronës kapitale. Po ashtu, nuk ka harmonizim ndërmjet të dhënave tatimore dhe kontabël.
Në sferën e investimeve, gjendja paraqitet edhe më problematike.
ENTI SHTETËROR I REVIZIONIT
“Ndërtimi i rrugëve, trotuareve dhe hapësirave publike është kryer pa dokumentacion planifikimi dhe pa leje ndërtimi. Edhe pse janë investuar 265 milionë denarë në sistemin e ujësjellësit, tre vendbanime ende nuk furnizohen me ujë, çka tregon mosfunksionalitet të projektit”.
Revizioni ka zbuluar edhe pagesa të pajustifikuara. Për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Matejç, komuna ka paguar mbi 1.7 milionë denarë për punë që nuk ishin kryer në kohën e pagesës.
Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë një numër rekomandimesh dhe ka kërkuar nga drejtuesit e komunës ndërmarrjen e masave urgjente për sanimin e gjendjeve të konstatuara. /SHENJA/


