‘’Akuadukti i Shkupit, një monument me histori shumë shekullor, po përballet me dëmtimë serioze të shkaktuara nga vandalizmi dhe neglizhenca institucionale. Po ashtu është edhe një monument unik i Maqedonisë dhe një burim potencial ekonomik’’.
Akuadukti i Shkupit është një objekt historik shumë i rrallë dhe i rëndësishëm, një nga tre akvaduktet e ruajtura në të gjithë Ballkanin. Ai është ndërtuar për të sjellë ujë të pijshëm nga burimet përreth drejt qytetit të vjetër të Shkupit. Gjithashtu dhe përfaqëson një monument kulture me rëndësi të veçantë, me nivelin më të lartë të mbrojtjes shtetërore. Megjithatë, për dekada me radhë është dëmtuar nga vandalizmi, dhe rrezikohet nga ndërtimet ilegale dhe vërshimi i mbeturinave.
Akuadukti ka nevojë të ruhet nga shkatërrimi i mëtejshëm, të restaurohet në mënyrë profesionale, të shndërrohet në një hapësirë kulturore dhe turistike, gjithashtu të bëhet një simbol i lidhjes mes historisë së lashtë dhe jetës moderne të Shkupit. Problemi, sipas disa ekspertëve, është një kombinim i apatisë institucionale, mosinteresimit qytetar dhe dëmtimit të qëllimshëm.
Nga ana strukturore, akuadukti përbëhet nga rreth 55 harqe gjysmë-rrethore, të ndërtuara me gurë dhe tulla, të lidhura me llaç gëlqeror. Harqet mbështeten mbi shtylla masive, të projektuara për qëndrueshmëri dhe funksion, duke dëshmuar nivel të lartë të njohurive ndërtimore për kohën. Në pjesën e sipërme të strukturës ndodhej kanali i ujit, përmes të cilit uji transportohej nga burimet përreth drejt qytetit të vjetër të Shkupit. Edhe pse sot ky kanal është kryesisht i dëmtuar, gjurmët e tij janë ende të dukshme.
Zebushe Ramadani /SHENJA/


