SHBA-të kryen veprime për shkak të aktiviteteve kriminale të drogës në Venezuelë, ku u shënjestrua Nicolas Maduro, thekson partia opozitare LSDM. Partia pyet se para këtij veprimi të SHBA-së, cilët ishin politikanët dhe vendet e vetme në Evropë që mbështetën dhe zhvilluan bashkëpunim me Maduron?
LSDM
“Qytetarët e dinë shumë mirë lidhjen midis DPMNE-së së Hristijan Mickoskit dhe SNS-së së Vuçiçit. Përveç faktit se të gjitha politikat e tyre janë të njëjta, përveç faktit se Mickoski po zbaton të njëjtin skenar si “xhaxhai” i tij Vuçiç, ekzistojnë edhe marrëdhëniet e biznesit që LSDM zbuloi përmes skandalit me Alta Bankën. Në intervistën e tij të fundit, Mickoski flet edhe për ‘mikun e tij të ngushtë Viktor Orban’, të cilin BE e akuzon për korrupsion pas skandalit me pronën në emër të babait të tij. Çfarë kanë të përbashkët të gjithë këta politikanë të krahut të djathtë dhe miq të mëdhenj?”
Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai ka thënë se mirëpret vendimin historik dhe të guximshëm të presidentit amerikan Donald Tramp për arrestimin e Maduros.
ARBEN FETAI, ZËVENDËSKRYEMINISTËR
“Si aleate e palëkundur e NATO-s, Maqedonia e Veriut mbështet fuqimisht veprimet për forcimin e sigurisë kolektive, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e demokracisë që garantojnë paqen dhe lirinë. Ky operacion vendimtar kundër rrjeteve të drogës, korrupsionit dhe ndikimeve autoritare paraqet një hap të rëndësishëm drejt eliminimit të kërcënimeve që cenojnë aleatët tanë dhe rendin euroatlantik”.
Ndërkaq lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, thotë se mbështetja e tyre e palëkundur ndaj aleatit tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë dhe mbetet zgjedhje e qartë dhe e drejtë.
Ali Ahmeti
“Mbështes lidershipin e Presidentit Donald Trump dhe angazhimin e SHBA-së përballë regjimeve autoritare dhe strukturave kriminale që kërcënojnë lirinë, demokracinë dhe sigurinë globale. Qëndrimi i fortë ndaj narkoliderëve dhe krimit të organizuar është mbrojtje jo vetëm për Amerikën, por për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar”.
Ahmeti deklaroi se partneriteti transatlantik është më i fortë kur bazohet në vlera të përbashkëta dhe qëndrim të bashkuar përballë tiranisë.
I vetmi reagim politik qartazi kundër aksionit amerikan ka qenë e kreut të partisë E Majta, Dimitar Apasiev. Ai e ka vlerësuar ngjarjen si një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare publike dhe një akt përtej logjikës së shëndoshë. “Të egrit nga Perëndimi rrëmbyen presidentin e një shteti sovran dhe gruan e tij, vetëm për të provuar se mund të bëjnë çdo gjë”, shkroi Apasiev.
Anida Murati /SHENJA/


