
Në një shtëpi me tulla balte të ndërtuar para gjysmë shekulli, që në çdo moment mund të shembet jeton Bekir Demiri, së bashku me vëllanë dhe motrën e tij të cilët nuk janë në gjendje të punojnë. Demiri i cili është i sëmurë nga epilepsia tregon që muajin e shtyjnë me 1200 denarët që i marrin nga asistenca sociale, por që sasinë më të madhe të këtyre të hollave i shpenzojnë për barëra.
“Unë jetoj në kushte të vështira… Nuk mundem të punoj sepse jam me epilepsi. Tre anëtar jemi, unë vëllai dhe motra, nëna dhe babai më kanë vdekur….1200 ndonjëherë 1300 denarë marr nga ndihmat sociale, por gjysmën e këtyre të hollave i harxhoj për barëra, çfarë më ngelin mua 500 denarë”, thotë Bekir Demiri.
Ajo që e bënë edhe më të vështirë gjendjen e tij është plaga që ka në këmbë, nga një plumb që e kishte goditur vite më parë. Kjo gjendje e vështirë jetese ka bërë që Bekiri të detyrohet të dalë në rrugë dhe të shndërrohet në lypsar, sepse siç tha ai barku i zbrazët me ditë të tëra dhe temperaturat e ulëta që shkonin disa gradë nën zero e detyronin atë që në këtë mënyrë ta siguroj një kafshatë buke dhe disa dru për ta shtyrë edhe një ditë. Nga tërmeti, shtëpia e kësaj familje u është çarë gjithandej.
“Nuk kam dru, shporeti tymon…Nga tërmeti që ishte vitin që lamë pas më janë çarë edhe muret”, theksoi Demiri.
Familjen Demiri e lamë në kushte vërtet të këqija ekonomike dhe shëndetësore, në një shtëpi të ftohtë dhe të kalbur, por me një shpresë se edhe ato një ditë do të jetojnë në një hapësirë normale dhe me kushtet elementare sepse gjendja e tanishme e përshpejton edhe më shumë keqësimin e gjendjes shëndetësore të Bekirit, andaj ai bënë apel që familja e tij të ndihmohet së paku me ushqim dhe drunj për tu ngrohur, që me moshën dhe shëndetin që ai ka të mos detyrohet që ditën ta kaloj rrugëve duke kërkuar mëshirë nga njerëzit për një kafshatë goje.
Emine Ismaili /SHENJA/
Rast i rëndë social: Demiri nuk ka para as për… by tvshenjaofficial