Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se Shkupi është në komunikim me Komisionin Evropian për të zgjidhur çështjen e hapur me Bullgarinë. Megjithatë, sipas tij, ende pritet një përgjigje nga pala bullgare për organizimin e një takimi mes përfaqësuesve zyrtarë të dy shteteve.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMIISTËR
“Kemi komunikim me Zyrën e Komisionit Evropian, dje dhe sot. Ende nuk kemi marrë një përgjigje. Ka një datë të propozuar, por të presim që pala bullgare të shprehet”.
Më herët, ai konfirmoi se ishte pikërisht presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ai që ndërmori nismën për këtë takim midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Takimi i propozuar pritet të mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s në Hagë më 24 dhe 25 qershor.
Nga Maqedonia e Veriut, në këtë samit do të marrë pjesë Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila deklaroi se, edhe pse protokolli kërkon që takimet të zhvillohen ndërmjet homologëve, ajo nuk ka asnjë hezitim të takohet me kryeministrin bullgar.
GORDANA SILJANOVSKA-DAVKOVA,PRESIDENTE
“Bisedova me z.António Costa për një takim të mundshëm. Ishte ideja e tij. Nuk e di nëse do të jem në radhë, por nëse po, do të jem aty. Normalisht, takohemi me homologët, por nuk kam problem të bisedoj me kryeministrin bullgar. Gjithsesi, kjo nuk varet vetëm nga unë, por nga fqinjët tanë”.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2005. Pas zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë në vitin 2017 dhe anëtarësimit në NATO në vitin 2020, vendi u përball me një veto nga Bullgaria për nisjen e negociatave me BE-në. Në vitin 2022 u arrit marrëveshja mbi të ashtuquajturin “propozimi francez”, i cili parashikonte që Maqedonia të përfshijë komunitetin bullgar në preambulën e Kushtetutës. Por ndryshimet kushtetuese ende nuk janë miratuar. Qeveria e re, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, kërkon garanci që nuk do të ketë kushte të reja nga Bullgaria në të ardhmen.
Samir Mustafa SHENJA/