Në vigjilje të zgjedhjeve lokale, vazhdon para fushata edhe në Komunën e Sarajit, ku ballë njëri tjetrit janë Blerand Ramadani nga Aleanca Kombëtare për Integrim dhe Muhamed Elmazi nga VLEN.
I shoqëruar nga Iljas Vejseli, bartës i listës së koalicionit, Ramadani fushatën e tij e ka vazhduar në fshatin Bojanë të Komunës së Sarajit, nga ku para qytetarëve ka thënë se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve dhe nuk do të bëj dallime. Ai theksoi se synon ta udhëheqë Sarajin me vizion, unitet dhe vendosmëri.
BLERAND RAMADANI, KANDIDAT PËR SARAJ NGA AKI
“Ne jemi të angazhuar dhe ja kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit vëllazëror, ndërmjet dy subjekteve më të mëdha, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët, të bashkuar në AKI. Ky koalicion ka për qëllim ta kthen dinjitetin e shqiptarëve në institucione. Jam kandidat sot, inshallah nesër kandidat i ardhëshëm, do të jem kryetar për aktivin e Aleancës, aktivin e BDI-së por edhe për të gjithë qytetarët që jetojnë në Dërven, pasi që këtë e kam mision”.
Nga ana tjetër, kandidati i VLEN, Muhamed Elmazi ka njoftuar se pas fitores së 19-të tetorit, në Saraj do të hapen zyrat lokale të institucioneve publike shtetërore dhe qytetarët e Sarajit nuk do duhet të bredhin rrugëve të Shkupit për të kërkuar dokumentet e tyre.
MUHAMED ELMAZI, KANDIDAT PËR KRYETAR KOMUNE
“Në objektin modern që do të ndërtohet, do të vendosen: Fondi për Sigurime Shëndetësore – Qendra për Punë Sociale – Njësiti i Ndihmës së Shpejtë – Zjarrfikësit – Stacioni i Policisë – Fondi Pensional – Drejtoria e të Dhënave dhe Regjistri Qendror – Drejtoria e të Hyrave Publike – Ministria e Bujqësisë dhe institucione të tjera relevante. Kështu, çdo banor i Sarajit do t’i ketë të gjitha shërbimet në një vend të vetëm”
Të dy kandidatët po zhvillojnë një parafushatë intensive, duke trokitur derë më derë në çdo fshat të Komunës së Sarajit. Gara është ndezur, retorika po ashpërsohet, dhe beteja për besimin e qytetarëve do të kulmojë më 19 tetor, kur qytetarët do të vendosin kush do ta udhëheqë komunën në katër vitet e ardhshme.
Mevludin Imeri /SHENJA/