Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se platforma e Tiranës, është mit i krijuar nga politikanët maqedonas. Në një intervistë për revistën amerikane “Politico”, duke folur për akuzat për ndërhyrjen e tij në krizën politike në Maqedoni, ai ka mbrojtur platformën shqiptare dhe ka thënë se ai vetëm ka lehtësuar takimin e partive shqiptare të Maqedonisë dhe nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme.
“Është një mit i krijuar në Shkup për qëllime politike se partitë politike po ndjekin një platformë që është shkruar në Tiranë. Kjo është gënjeshtër, një mit i krijuar nga politika me shije shumë të keqe. Sulmi ndaj platformës është shumë i rrezikshëm sepse është lloj i politikës që nxit ndarje dhe jo unitet. Gjëja e fundit që i nevojitet Maqedonisë dhe gjithë neve, është të nxitet konflikt ndëretnik, sepse nuk mund t’i kontrollosh këto çështje”, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ai ka shtuar se shqiptarët në Maqedoni kanë të drejt absolute për të kërkuar barazi të plotë me maqedonasit dhe se platforma kryesisht kërkon të drejtat dhe liritë që janë të paraqitura në Marrëveshjen e Ohrit.
Ndërkohë, në lidhje me rrugën e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit drejt BE-së, Rama ka paralajmëruar se BE do të ballafaqohet me ankth nëse shpresa e Ballkanit zbehet. Sipas tij, BE-ja ka një mungesë vizioni për Ballkanin, i cili rrezikon që të destabilizojë jo vetëm rajonin tonë, por të gjithë Evropën. Ndërkohë, i pyetur nëse do të bashkohej me Kosovën, Rama është përgjigjur:
“Jo, sepse rruga e vetme që ta mbash Ballkanin në këtë situatë paqësore dhe bashkëpunuese është duke i mbajtur rrugën drejt anëtarësimit në BE të hapur, t’i japësh një perspektivë të qartë si dhe t’i mbash emocionet pozitive rreth BE-së. Askush nuk do të donte bashkime të vogla, të gjithë duan të jenë pjesë e bashkimit të madh. Por, nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë, sigurisht që bashkimet e vogla mund të ndodhin”. Ka shtuar Rama.
Po ashtu, Rama tha se Ballkani do të “çmendet” nëse nuk vlerësohet nga Unioni. Sipas tij, ka një problem në të kuptuarit dhe në mungesën e vizionit, Ballkani ka nevojë për Evropën dhe Evropa për Ballkanin. Ai ka shtuar se si mund ta lejojë Bashkimi Europian “zemrën” e saj të jetë në zonën gri.
Teuta Buçi /SHENJA/
Rama: “Platforma e Tiranës” është mit i krijuar… by tvshenjaofficial