Kjo ishte gjendja e krijuar pas vendimit për të ndërruar të gjitha dokumentet personale për shkak të ndërrimit të emrit kushtetues të shtetit.
Radhë të gjata u krijuan para objekteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sidomos në pikën e përkohshme të krijuar në Proleçe të Shkupit. Por, ky imazh pritet t’i takojë të kaluarës. Të paktën kështu premtojnë drejtuesit e Qeverisë aktuale.
Qeveria bëri të ditur se nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme ka zgjidhur problemin me ngecjen e lëshimit të pasaportave dhe dokumenteve të tjera personale. Nëse kohë më parë u është dashur të presin disa muaj, sot, pohon Qeveria, janë nxjerrë brenda afatit ligjor prej 15 ditësh.
QEVERIA E MAQEDONISË SË VERIUT
“Problemi i trashëguar nga qeveria e kaluar u zgjidh në vetëm 4 muaj. Riorganizimi që u bë dhe rritja e personelit kontribuoi në arritjen e numrit të pasaportave dhe dokumenteve personale që tani lëshohen brenda periudhës së rregullt. Nuk ka më turma dhe shtytje para sporteleve.”
Sipas Qeverisë, deri tash janë dhënë 750 mijë patentë shoferë me emrin e ri kushtetues. Zyrtarët kanë bërë të ditur se pajisja e qytetarëve me leje të udhëtimin me emrin e ri të shtetit duhet të pëfundojë deri në fund të vitit. Qeveritarët u bëjnë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë periudhën e ardhshme për ta përmbushur obligimin me kohë. /SHENJA/