Ende pa mbaruar tërësisht ndërtimet në lagjen Ivo Llovo Ribar në Tetovë, që kishin filluar prej shumë kohësh, banorët e asaj pjese kanë filluar t’i ndjejnë problemet e para. Një gropë e thellë që është hapur për të vendosur ujësjellësin para një muaji e gjysmë, si e tillë ka mbetur edhe sot, sepse e njejta nuk është mbuluar që të mos ju shkaktojë pasoja banorëve. Deri tani aty kanë rënë 3 vetura, por qytetarët druajnë që të njëjtën fatkeqësi mos e përjetojnë edhe nxënësit, pasi në afërsi janë shkolla fillore dhe e mesme.
“S’kam koment, nuk di çfarë të them. Kjo rrugë ka filluar prej para vitit të ri të rregullohet për t’u prishur dhe për t’u rregulluar prapë. Mirëpo, shihet qartë se ka shumë mungesa që nuk janë rregulluar. Një, po e shoh këtë pusetën këtu…është një problem shumë i madh, mos të themi për makinat se makinat nuk kalojnë andej, mirëpo për këmbësorët, veçanërisht për fëmijët, që është një lëvizje e jashtëzakonshme të shkollës së mesme dhe fillore. Mund të jetë një rrezik i madh gjatë lëvizjes natës”, tha njëri nga qytetarët.
“Në atë pusetë që është hapur nuk e kanë rregulluar siç duhet, ato të cilët e kanë bërë duheshe ta sigurojnë këtë, t’i bënin një mbulesë. Këtu mund të kalojnë edhe kalimtarë, mund të bijnë, dy-tre vetura kanë rënë aty deri tani dhe janë dëmtuar”, thotë një qytetar tjetër.
Qytetarët tjerë përmendin edhe shumë probleme të tjera që kanë në atë lagje. Njëri ndër to është një pusetë tjetër fekale që është ndërtuar në kuadër të po këtij projekti, nuk është mjaftueshëm e sigurt që veturat të lëvizin mbi të.
“Puseta është bërë për të vendosur ujësjellësin dhe është bërë në trotuar që të mos e thyejnë asfaltin , kjo është punë e mirë, por pusetën tani e kanë lënë kështu të pambuluar, kjo nuk është mirë. Kjo puseta që është për fekale, nuk funksionin siç duhet . Unë kam reaguar, më kanë thënë vijmë dhe nuk kanë ardhur. Dritat këtu para dy muajsh janë djegur sepse kishte një defekt…dhe tani nuk vijnë që t’i ndërrojnë, digjet njëra, digjet tjetra. Nuk ke ku të shkosh të ankohesh, kjo shkon përmes komunës”, tha një qytetar tjetër.
Qytetarët i bëjnë apel komunës që t’i përgjigjen kërkesave të tyre dhe që për një kohë sa më të shkurtër të rregullojnë këto probleme, në mënyrë që të mos shkaktohen edhe pasoja të tjera.
Puseta në Tetovë, “varr i hapur” për veturat by tvshenjaofficial