Prokuroria Publike Speciale sot hyri në Telekom. Ky hap vjen pas katër përpjekjeve për të marrë urdhëresë gjyqësore për kontroll në suaza të dy hetimeve në lidhje me përgjimet masovike nga vitit 2008 deri në vitin 2015. PSP ka hyrë në godinën administrative të Telekomit, ndërsa ekipi është udhëhequr nga prokurorja Lençe Ristoska. Në kumtesë për mediat, nga PSP njoftojnë se kanë mbajtur takim të nivelit të lartë me përfaqësuesit e Kompanisë.
“Në hapësirat e ‘Telekomit të Maqedonisë’ sot u mbajt takim pune të nivelit më të lartë me përfaqësuesit e kësaj kompanie, me qëllim që të gjendet zgjidhje për lëndët të cilat janë në interes të Prokurorisë publike. Presim që bashkëpunim i vendosur të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme”, kanë thënë nga PSP.
Javën e kaluar u njoftua se PSP do të ketë takim me anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Maqedonisë nga Gjermania dhe Hungaria. PSP njoftoi se prej kur u ballafaqua me opstruksione nga përfaqësuesit e kapitalit shtetëror të Maqedonisë në këtë kompani dhe nga gjykata e cila nxjerr arsye të ndryshme që të mos japë urdhëresë për kontroll, tani kërkon pajtueshmëri për qasje deri tek të dhënat e operatorit, në suaza të hetimeve të hapura për përgjim masovik të qytetarëve përmes operatorit më të madh telefonik dhe celular në vend.
Kompania e Maqedonisë Telekom, në të cilën Dojçe Telekom ka shumicë të pronës përmes kompanisë hungareze, deri më tani ka refuzuar që të bashkëpunojë dhe t’i dorëzojë PSP-së të dhëna të cilat me shkrim kryeprokurorja Katica Janeva i ka kërkuar menjëherë pas hapjes së hetimeve për përgjimet.
Kjo prokurori përpiqet që të hyjë në Telekom prej më 18 nëntor të vitit të kaluar, kur e hapi hetimin për rastin “Target” për përgjim masovik në Maqedoni, por Gjykata themelore Shkupi 1 katër herë refuzon që t’i japë urdhëresë gjyqësore për hyrje në Kompani.
Dëshmitë me të cilat në këto momente disponon PSP japin dyshim të bazuar se përmes sistemeve për përgjimin e komunikimeve në periudhën e viteve 2008-2015, në mënyrë joligjore është përgjuar komunikimi i 4286 numrave, për të cilat aspak nuk janë dhënë urdhëresa gjyqësore për përgjimin e tyre, ndërsa edhe 1541 telefona janë përgjuar prej se është kryer urdhër gjyqësor për përgjim. Gjatë kësaj në mënyrë joligjore janë përgjuar edhe të gjithë personat të cilët kanë komunikuar me numrat telefonik të cilët kanë qenë cak i përgjimit joligjor në atë periudhë. Supozohet se janë rreth 20 mijë të cilët kanë biseduar me të përgjuarit, por numri i saktë nuk dihet. Dhe kjo është arsyeja pse PSP dëshiron të hyjë në Telekom.
Prokurorët e speciales hynë në Telekom by tvshenjaofficial