Takimi i sotëm i kandidatëve për policë ka përfunduar me premtimin se MPB bën gjithçka që në afat sa më të shkurtër t’i punësojë atë. Kështu deklaruan përfaqësuesit e 600 policëve pas takimit me ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu. Organizatorët e policëve protestues para se të hyjnë në takim me ministrin thanë se në takimet paraprake, ministria u ka kërkuar që të sigurojnë 598 nënshkrimet e kandidatëve për policë që do të punësohen dhe 3 nënshkrime të kandidatëve për policë që nuk dëshirojnë të punësohen tani por pasi të formohet Qeveria, edhe pse e kanë kaluar testin pranues por që kanë pikë të barabarta me kandidatët tjerë.
“Nga takimi i sotëm me zotëri ministrin, vendosëm që të mbesim në kontakt të mëtutjeshëm me ministrinë, e cila bën përpjekje të vështira që sa më shpejtë të fillojmë me marrëdhënie pune. Vendosëm që të kontaktojmë edhe më tej me ata dhe pastaj do të shohim se çka do të ndodhë”, tha kandidati për polic, Stefan Angellkovski.
Përfaqësuesit e policëve që protestojnë thonë se nga Ministria e Brendshme nuk ua kanë treguar arsyet pse zvarritet puna.Pas takimi, ministri i brendshëm, Agim Nuhiu, në përgjigjen me shkrim për TV SHENJA deklaroi se janë takuar disa herë me policët që protestojnë dhe shprehet optimist për zgjidhje ligjore të problemit të tyre.
“I kemi takuar disa herë kandidatët që kanë mbaruar me sukses kursin për policë në Qendrën e Idrizovës. Jemi optimist që shërbimet profesionale të MPB-së do të gjejnë zgjidhje adekuate dhe ligjore për këtë çështje të hapur që e kemi trasheguar në Ministri”, thotë ministri i brendshëm , Agim Nuhiu.
Pas përfundimit të protestës policët u shprehën të dëshpëruar, ndërsa thanë se nuk kanë shpresë se së shpejti do t’u gjendet zgjidhje për punësim.
Mefail Ismaili /SHENJA/
Problemi me 600 policët, ministri premton zgjidhje by tvshenjaofficial

