Lokacioni pranë poliklinikës së Bit Pazarit që duhej të ishte një hapësirë e vogël e gjelbëruar, pjesërisht është uzurpuar, e pjesërisht është shndërruar në një parking të egër.
Kjo gjendje, jo vetëm që është jashtë çdo norme ligjore, por edhe u shkakton probleme banorëve të ndërtesës përballë. Ata shprehen tejet të revoltuar, por shumica prej tyre hezitojnë të flasin para kamerës së Televizionit SHENJA. Në mungesë të intervenimit institucional, banorët thonë se shpeshherë u bie të fjalosen me personat që parkohen dhe me ata që lejojnë parkimin e veturave në këtë lokacion.
“Kjo aspak nuk është vend për parkim. Mirëpo fajin në rend të parë e ka qyteti i Shkupit, i cili nuk merr asnjëfarë mase”, thotë njëri nga banorët.
Banorët sqarojnë se janë ankuar deri tek Komuna e Çairit, prej nga ju kanë thënë se lokacioni në fjalë është nën kompetencat e Qytetit të Shkupit. Ankesën e njëjtë e kanë dorëzuar edhe Qyteti i Shkupit, por as kjo nuk ka pasur ndonjë rezultat. Duke mos pasur zgjidhje tjetër, ata ankesat i kanë drejtuar tek Televizioni SHENJA.
“Para 4 viteve kemi dërguar me nënshkrimet e mbi 30 banorëve, nuk kemi asnjëfarë përgjigje. S’kanë ardhur bile të interesohen”, thekson banori i ndërtesës afër këtij lokacioni.
Televizioni SHENJA ka kontaktuar Komunën e Çairit, por edhe Qytetin e Shkupit, për të kërkuar sqarim se kush është kompetent për këtë lokacion dhe pse nuk është ndërmarrë asgjë për të mënjanuar parkingun e egër. Deri më tani, nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.
Abdulla Berisha /SHENJA/