Ulëse të dëmtuara, mungesë gjelbërimi, mungesë uji, mungesë e tualeteve publike dhe një kënd i vogël e i dëmtuar i lodrave ku fëmijët mund të argëtohen, është kjo gjendja e parkut të Çairit. Nuk mund të kalojnë pa u vënë re edhe puset me ujë, të cilat shfaqen si kërpudhat pas shiut, e të cilat vështirësojnë edhe vetëm kalimin nëpër këtë park, ndërkaq që i njejti është paraparë për argëtim. Nuk ka nevojë të shikohet detalisht, pasi qartë shihen edhe dëmtimet e rrugicave, sidheatotek dërrasat e skenës së improvizuar që ndodhet aty. Qytetarët ankohen për kushtet minimale që ky park u ofron. Ata thonë për televizionin Shenja se mungesa e hapësirave ku fëmijët mund të kalojnë kohën, shpien edhe në aksidente trafiku, duke aluduar në aksidentin e fundit në Çairçanë, ku një fëmijë 5 vjeçar duke vrapuar pas topit që përfundoi në mes të rrugës, humbi jetën.
“Duhet të rregullohet, me pas pak kujdes edhe prindërit duhet të kenë kujdes, se nuk ka vetëm ky park është në komunën e Çairit, tjetër nuk kemi. A e patë çfarë ndodhi në Çairçankë, fëmiu shkoi, s’ka ku të luaj”, thotë njëri nga qytetarët.
“Katastrofë e madhe, ja fëmijën në rrugë e ka shtypur një makinë. Është katastrofë e madhe. Me hy në Seravë nuk ka asnjë vend ku mund fëmija të del i qetë të luajë. Këtë park e ka Çairi edhe ky është katastrofë”, thotë një qytetar tjetër.
“Ne të gjithë presim të vjen më mirë për ne, ta rregullojnë parkun, nuk e dimë a do të bëhet ajo ose jo. Tre dërrasa, pa dërrasa dalim ulemi, ne jemi të moshuar, ku të shkojmë s’kemi ku të shkojmë”, thotë një qytetar tjetër.
Televizioni SHENJA kësaj here nuk do të sjell krahasime me parqet tjera të qytetit ku në afërsi të tyre jetojnë maqedonasit, pasi një gjë të tillë e kemi bërë disa herë. Por do të rikujtojmë se dje kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, paralajmëroi investim të ri në vlerë prej 6.5 milion euro për modernizimin e parkut të Qytetit. Qytetarët e Çairit nuk janë kundër këtij investimi, ata vetëm dëshirojnë që një pjesë e kulaçit të ndahet edhe për investime në pjesën ku banojnë shqiptarët.
“Ajo shumë bukur është që investojnë, por duhet të investojnë edhe tek ne pak. Në parkun e Çairit asgjë nuk investohet. Ka 6 vite që asgjë nuk është investuar. Gjithçka është e thyer, ulëset, lodrat e fëmijëve. Nuk ka investuar askush, në anën e shqiptarëve nuk investon askush. Shumë katastrofë është bërë këndej Vardarit, andej Vardarit investohet shumë. Nuk mund fëmijët të gjithë të dalin në anën tjetër të Vardarit”, thotë një qytetar tjetër.
“Siç e sheh as pastrues nuk ka, ujë deri tash nuk kemi pas. Ne pensionerat për një shishe ujë duhet të shkojmë të blejmë. Me dashtë me pushu nëse bie shi, s’kemi ku të strehohemi. Asgjë s’ka as për ne të moshuarit e as për fëmijët. S’ka asgjë”, thotë një qytetar tjetër.
Në parkun e Qytetit do të ndërtohet infrastrukturë e re dhe do të vendosen rekuizita të reja argëtuese. Të gjitha këto ndërtime do të bëhen në lokacionin e Luna Parkut të vjetër dhe do të jetë me sipërfaqe prej rreth 25 mijë metra katrorë.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Parku i Çairit në gjendje të mjerueshme… by tvshenjaofficial