Në 22-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot seancë solemne për “Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Në këtë seancë ku kanë marrë pjesë deputetë të Kuvendit, janë bashkuar edhe familjarë të familjes Jashari, por edhe përfaqësues të ndryshëm institucionesh si komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrahman Rama dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Kreshnik Gashi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij foli gjerësisht për veprën dhe sakrificën e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij në marsin e vitit 1998.
Kurti tha se Jasharët në momentet më kritike morën vendim që “asnjëherë të mos dorëzoheshin dhe gjithmonë të qëndrojnë e veprojnë në Kosovë”, vendim që më vonë u mësua se ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për historinë e Kosovës.
“Ata me veprimet dhe organizimin dhe qëndresën e palëkundur të tyre e kishin thënë shumë hera: më e shtrenjtë është liria sesa jeta. Jasharët janë UÇK-ja para UÇK-së. Pa rezistencën, luftën dhe qëndresën e Jasharëve nuk do të kishte UÇK, e pa Ademin e Hamzën nuk do të kishte komandantë të UÇK-së. Për Jasharët, flijimi i tyre nuk ishte diçka e jashtëzakonshme, ata ishin përgatitur jo vetëm një jetë të tërë, por shumë breza jete. Me Jasharët, çuditen vetëm ata që nuk e dinë historinë e tyre”, tha Kurti.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “jemi mbledhur sot jo vetëm për t’i kujtuar Jasharët, por edhe për ta ripërtërirë kujtesën tonë”.
Osmani theksoi se heroizmi dhe sakrifica e kësaj familje i shpalosi botës pamjen e regjimit serb në Kosovë.
“Beteja e Jasharëve u shndërrua në inspirim për mijëra të rinj e të reja që edhe ata të jenë të gatshëm për të ofruar çdo lloj sakrifice dhe për ta jetësuar idealin e brezave për të jetuar të lirë. Sot prandaj, ne u falemi atyre, sot ne jemi këtu jo vetëm për t’i kujtuar emrat e viktimave të kësaj masakre, të kësaj beteje, por për ta nderuar kujtimin e secilit veç e veç”, tha Osmani.
Siç ndodh zakonisht në seanca të tilla, edhe në këtë seancë kanë munguar deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës nga partia Lista Serbe.
Sot, përvjetori i 22-të i Epopesë së UÇK-së do të shënohet me disa aktivitete shtetërore, përfshirë edhe orën e parë të mësimit në shkollat fillore të vendit ku do të mbahet ligjëratë rreth UÇK-së, do të mbahet parakalimi i trupave të FSK-së si dhe të gjitha kuvendet komunale të Kosovës do të mbajnë seanca solemne.
Manifestimi i Epopesë së UÇK-së, mbahet më 5,6 dhe 7 mars për nder të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së i cili ra heroikisht më 7 mars 1998 dhe familjes së tij, raporton Anadolu Agency (AA)..
Forcat policore jugosllave dhe Ushtria Jugosllave e sulmuan shtëpinë e Adem Jasharit në mars të vitit 1998 për tri ditë e dy net, ku Jashari heroikisht ra së bashku me 56 anëtarët e familjes së tij. Ai mban titullin “Komandanti Legjendar i UÇK-së”, titulli “Hero i Kosovës” që ju dha atij në vitin 2008 nga kryeministri i Kosovës.