Mbrëmë në bashkëpunim me RUTEV (Fondacioni i Turqëve të Rumelisë), “Üsküp Vakfı”(Fondacionit Shkupi), Shoqata “Köprü” dhe Shoqata “Ensar” u organizua program iftari, ku ishin pjesëmarrës mbi 500 mysafirë, në mesin e tyre, Ambasadori i Republikës së Turqisë, Fatih Ulusoy, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, ish-ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, deputetja aktuale e AK Partisë së Erdoganit, znj. Seda Gören Bölük, përfaqësues të sektorit civil, përfaqësues nga komunitete tjera, studentë etj.
Me këtë rast Ministri i Punëve të Jashtme, kandidati për president nga BDI, Bujar Osmani, në programin e iftarit deklaroi se sa janë të rëndësishme për turqit e Maqedonisë së Veriut marrëdhëniet me Turqinë.
Duke vënë në dukje se qëllimi kryesor i muajit të Ramazanit është solidariteti, Osmani tha: “Ky muaj është një muaj në të cilin ne duhet të pastrojmë veten nga ambiciet dhe pasionet tona personale dhe të bashkohemi. Qëllimi dhe mesazhi i takimit në këtë muaj, është të pyesim njëri-tjetrin ‘a jemi mirë, a ke nevojë për ndonjë gjë, çfarë mund të bëj për ty’?
“Më duhet të theksoj veçanërisht rolin e komunitetit turk në demokracinë tonë multietnike.” Duke thënë se ai ishte student në universitet kur u krijuan shoqatat Ensar dhe Köprü, të cilat ishin ndër shoqatat organizatore të programit të iftarit, Osmani shtoi: “Dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time për rolin që kanë – në zhvillimin e kulturës dhe identitetit turk dhe integrimin e tyre në shoqëri. Më duhet të theksoj veçanërisht rolin e komunitetit turk në demokracinë tonë multietnike. Maqedonia e Veriut duhet të jetë krenare për shoqërinë dhe strukturën e saj multikulturore dhe harmoninë ndëretnike. Shumë vende në rajon do të dëshironin të kishin këtë sukses që ne kemi arritur’ – tha ai.
Osmani tutje shtoi: “Ne duhet t’i japim rëndësinë e duhur Marrëveshjes së Ohrit”.
Edhe pse mbrëm nuk dëshironte të flas për politikë, Osmani theksoi se Marrëveshja e Ohrit qëndron në sfondin e harmonisë ndëretnike duke theksuar që: “Për shkak se Marrëveshja e Ohrit e forcoi rolin e komuniteteve duke krijuar mekanizma që nuk mbivotojnë dhe dominojnë shumica e komuniteteve të tjera. Të gjithë ne fituam nga Marrëveshja e Ohrit, dhe është shumë e rëndësishme që fituesit e Marrëveshjes asë Ohrit të jenë së bashku për të forcuar më tej rolin dhe mekanizmin e kësaj marrëveshjeje politike që na bën zot të shtëpisë sonë. Edhe ne shqiptarët, edhe komuniteti turk, edhe boshnjakët, edhe romët dhe vllehët janë bërë të gjithë zot të shtëpive të tyre dhe nuk janë më qiragjinjë. Kjo është arsyeja pse ne duhet t’i japim vlerën e duhur rolit të kësaj marrëveshjeje dhe bashkëpunimit tonë”.
“Kur Maqedonia e Veriut u bë e pavarur, ambasadori i parë që erdhi në Shkup ishte ambasadori turk”
Duke folur për marrëdhëniet me Turqinë, Osmani tha se “Republika e Turqisë është një nga dy vendet e para me të cilat kemi krijuar një partneritet strategjik. Kur Maqedonia e Veriut u bë e pavarur, ambasadori i parë që erdhi në Shkup ishte ambasadori turk. “Ky ishte një mesazh se Turqia qëndron pas pavarësisë së këtij shteti dhe se Turqia është këtu për të ndihmuar kundër atyre që nuk e duan këtë pavarësi dhe garantues se ky shtet do të ecë përpara.”
Duke kujtuar se bashkëpunimi në fjalë vazhdon edhe sot me partneritetin e NATO-s, Osmani tha: “Në takimin tim të fundit me ambasadorin Fatih Ulusoy dhe në takimin tim të fundit me ministrin e Jashtëm të Turqisë z. Hakan Fidan në Antalia, ramë dakord që partneriteti ynë strategjik ta çojmë në një nivel tjetër dhe ta ngrejmë atë në nivelin e dialogut strategjik. Siç bëra me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Blinken dy vjet më parë, ne e ngritëm partneritetin strategjik me SHBA-në në nivelin e dialogut strategjik.
“Me Hakan Fidanin ramë dakord që të zhvillojmë së bashku mbledhjet e qeverisë dhe kabinetit dhe një herë në vit të mbajmë mbledhje të përbashkëta për të parë se ku kemi arritur në projektet e përbashkëta.”
Evokimi i kujtimeve të Ministrit të Jashtëm Osmani për Hakan Fidanin
Në fund, Osmani deklaroi se dëshiron të rrëfej një kujtim personal për marrëdhëniet e tij me Turqinë: “Kur e pash Hakan Fidanin për herë të parë në Nju Jork si Ministër i Punëve të Jashtme, e pyeta “a e di që ma ke shpëtuar karrierën politike?”. Këtë ngjarje ia tregova ambasadorit të nderuar disa ditë më parë. Ai (Hakan Fidan) gjithashtu u habit se si mund të më kishte shpëtuar kur nuk më kishte takuar kurrë më parë. Në vitin 2010, kur isha ministër i Shëndetësisë, në Maqedoni kishte H1N1, një epidemi e ngjashme me Covid-19. Procesi i vaksinimit filloi në vende, por ne nuk e kishim vaksinën. Shtetet e vogla nuk kishin mundësi të merrnin vaksina. U bë presion i madh ndaj qeverisë, u kërkua dorëheqja e qeverisë dhe dorëheqja e ministrit të Shëndetësisë. Një miku jonë i përbashkët që është këtu, emri i të cilit nuk do t’ia përmend, më tha: ‘Kam një shok në Turqi, Hakan Fidan’. Nuk e njihja atëherë, rreth 15 vjet më parë. Pas një telefonate shkova në portin kufitar në Turqi dhe mora 5 mijë dozat e para të vaksinës, udhëtova gjatë natës për në Shkup dhe vaksinën e parë e mora në mëngjes. Kështu u shemb i gjithë presioni politik ndaj meje dhe qeverisë. Ky është vetëm një shembull kur miqtë e mirë shfaqen në kohë të vështira. Turqia ka qenë gjithmonë një mikeshë e mirë si në kohët e vështira ashtu edhe në ato të mira. Prandaj, ambasador, faleminderit shumë për këtë miqësi.”
Duke bërë thirrje për unitet në fund të fjalës së tij, Osmani tha: “Ftoj të jemi bashkë, sepse vetëm nëse jemi të bashkuar do të forcojmë mekanizmat për të qenë zot të shtëpive tona”.