Sulejman Osmani, i akuzar për organizim terrorist së bashku me grupin e Kumanovës, i pranon të gjitha akuzat për pjesëmarrje në sulmin mbi kullën policore në Gushincë dhe Lagjen e Trimave por insiston se qëllimi i tij dhe i grupit nuk ka qenë të bëjnë vrasje, por vetëm të japin ultimatim për ndryshimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni. Gjatë fjalimit të tij përfundimtar, Osmani i tha gjykatës dhe prokurorisë se ai me shokët nga UÇK kanë patur për qëllim t’ia bëjnë me dije Ali Ahmetit dhe Nikolla Gruevskit se nuk mund të luhet me ndjenjat e shqiptarëve.
“Qëllimi pse hymë ishte se shumë ushtar të UÇK-së u vranë, u burgosën, iu montuan procese gjyqësore. E kemi dëgju Gordana Jankullovskën në biseda telefonike t’u thënë se mundemi me i zhduk indijanët për një orë. Kjo tregon se ish pushteti i Gruevskit dhe Ali Ahmetit ka qenë fashist dhe komunist. Ne s’kemi ardhur me i ndihmuar Aliut dhe Gruevskit, si po flitet palidhje. Qëllimi ishte që dikush të takohet me ato politikan si burrat dhe tu thojë, shqiptarët duhet me qenë të barabartë me maqedonasit”, ka deklaruar Sulejman Osmani, i akuzuar për organizim terrorist.
Sulejman Osmani tha se Ahmeti ka qenë i njoftuar për ardhjen e grupit të Kumanovës dhe dyshon se vetë policia ua ka hap rrugën për ta marrë armatimin e Gushincës dhe për të shkuar në lagje ku u është bërë kurthi.Osmani në seancat e kaluara pohonte se ata i kanë mashtruar Ali Ahmeti, Musa Xhaferi, Artan Grubi e persona të tjerë nga shërbimi sekret dhe nga ish partia maqedonase në pushtet, dhe i kërkonte si dëshmitar, ndërsa sot gjatë fjalëve përfundimtare nuk përmendi askënd. Avokati i tij Naser Raufi vlerëson se Osmani është dashur të gjykohet bashkë me grupin kryesisht kosovar, për të parë më mirë gjendjen faktike por meqë kushtet janë këto, ata ironizojnë me faktin që nuk u pranuan zyrtarë të lartë që të thirren si dëshmitar.
“Këto prova që janë të propozuara nga mbrojtja thanë se nuk do të pranohen se nuk kanë fuqi relevante. Kjo është një paradoks i paparë. Të njëjtit gjykatës njëherë mospranimin e provave e arsyetojnë me faktin se sjanë dhënë në stadiumin e provave shtesë, që nuk është sipas ligjit, pasi janë dhënë kur është dashur…(02:15)Vetë trupi gjyqësor nuk dëshiron që të zbardhet ky rast. Këtë e them pasi në këto prova ishin të propozuar edhe struktura të sigurimit, edhe politikan, edhe njerëz që janë të informuar, sidomos nga shërbimi sekret”, tha Naser Raufi, avokat.
Osmani në një prej seancave të kaluara insistonte që i ka parë të gjallë liderët e grupit, Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj pas dorëzimit, dhe madje Mirsadi kishte qenë i plagosur në këmbë. Sipas asaj që ia ka thënë Osmani gjykatës, dy liderët e ndjerë kanë qenë të gjallë më 10 maj dhe policia pastaj i ka ekzekutuar. Por në fondin e provave të prokurorisë, nuk ekziston asnjë inçizim i vetëm për datën dhjetë maj. Nuk duken as luftimet për të cilat flet prokuroria dhe as trupat e pajetë të liderëve të grupit.
“Ky i akuzuar është kategorik se i ka parë që janë të dorëzuar 4 vetë, si grupi i fundit që gjoja nuk janë dorëzuar. Ai e përshkruan bile edhe plagën ku e ka patur. Sulejman Osmani nuk ka mundur ta dijë vendin se ku e ka patur plagimin Mirsadi pasi nuk e ka parë CD-në e obduksionit. Kjo është garancion se e ka parë të dorëzuar” , shtoi Raufi.
Edhe Osmani sikurse shumica e të akuzuarve për Lagjen e Trimave, insiston se të arrestuarit për logjistikë, nuk kanë asnjë lidhje me aktivitetet e grupit dhe se janë marrë në qafë padrejtësisht vetëm pse janë ish ushtar të UÇK-së. Osmani 55 vjeçar ishte arrestuar në Kosovë në korrik të vitit 2015, pas një flet-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Maqedonia. Arresti erdhi pasi fillimisht, ai kishte arritur ti ikë policisë së Maqedonisë në mënyrë misterioze, me pranga në duar. Arratisja ndodhi në momentin kur Osmani ishte duke ia treguar policisë vendin e fshehjes së armatimit të vjedhur nga Gushinca. Aktvendimi për Sulejman Osmanin do të dihet dy ditë pas vendimit për grupin e Kumanovës.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

