Komuna e Gostivarit, Qendër Zhupë, Mavrovë-Rostushë dhe Vrapçisht do t’i nënshtrohen procesit të rivotimit, pasi në rrethin e parë të zgjedhjeve që u mbajt më 19 tetor, nuk u arrit censusi i nevojshëm i daljes së votuesve dhe zgjedhjet janë shpallur të pavlefshme.
Sipas Kodit Zgjedhor, që një proces zgjedhor të konsiderohet i vlefshëm, duhet të marrin pjesë së paku një e treta e votuesve, pra 33,33%.
Në Komunën e Gostivarit, ku dalja ishte 33,31%, censusi nuk u arrit për 0.02 përqind, apo për 22 votues. Në Vrapçisht dalja ka qenë 25,18%, Mavrovë-Rostushë – 30,31% dhe në Qendër Zhupë – 21,49%.
Në këtë mënyrë, në këto katër komuna do të përsëritet i tërë procesi zgjedhor, përkatësisht brenda afatit 60 ditor nga shpallja e rezultateve përfundimtare duhet të shpallen zgjedhje të reja. Në ndërkohë, Qeveria do të duhet të emërojë ushtrues detyre i cili do t’i kryejë detyrat e kryetarit.
Ndërkaq, në zgjedhjen e këshillave komunal, ligji nuk paraqet kusht për dalje minimale që zgjedhjet të jenë të vlefshme. Mandatet ndahen në bazë të numrit të votave të marra në çdo listë të kandidatëve, sipas metodës së Dontit.
Sa i përket pjesës tjetër të komunave, në 43 komuna votimi është kryer në rrethin e parë ndërsa në 33 komuna do të ketë rreth të dytë më 2 nëntor. Në rrethin e dytë zgjedhjet i fiton ai që merr më shumë vota dhe nuk ka census.
Teuta Buçi /SHENJA/