Qeveria dhe sindikalistët nuk kanë arritur marrëveshje për pagën minimale në seancën e sote në Këshillit Ekonomiko – Social. Në këtë seancë u vendos që të ketë shportë zyrtare të konsumatorëve të cilat do ta krijiojnë sindikatat, Enti Shtetëror i Statistikës, Organizata e Konsumatorëve, si dhe ministritë e Ekonomisë dhe Financave. Sipas kryetares së Organizatës së Punëdhësve, Vlladanka Trajkovska, trupi që do ta definojë shportën e konsumatorëve do të formohet në seancën e radhës së këtij këshilli.
Vlladanka Trajkovska, Kryetare e Organizatës së Punëdhënësve
“Nuk ka marrëveshje për pagën minimale. U diskutua për shportën minimale të konsumatorëve, por u zyrtarizua se do të ketë shportë zyrtare të konsumtaorëve të cilën do ta krijojnë. Vlerësojmë se, do të jetë zyrtare dhe institucionale e cila do t’i definojë të gjitha pikat dhe do t’i marrë parasysh të gjitha elementet konsumatore relevante për një shportë. U diskutua për disa tema, në mesin e të cilave edhe paga minimale, por kishte vetëm diskutim, pa qëndrime dhe konkludime”.
Por, sipas kryetarit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov, ky është një tentim për minimizimin e rolit të shportës minimale të konsumatorëve që deri më tash e ka bërë kjo sindikatës dhe kjo sipas tij, bëhet me qëllim që të mos ketë rritje të pagave. Ndërkaq, Trendafillov thotë se pagat duhet të rriten që sot.
Sllobodan Trendafillov, Kryetar i LSM-së
“Ajo që do të tentojnë të bëjnë është që ta heshin Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë. Ndërsa, ajo që është e rëndësishme ta dinë punëtorët është se ndoshta ata nuk kanë aq probleme me Qeverinë dhe punëdhënësit, por kanë problem me sindikalistë, të cilët sot në seancë na bindnin se, ndoshta nuk është e nevojshme rritja e pagës minimale se do të krijonte presion edhe ndaj pagave të tjera dhe përsëri do të nevojitej që të rriten edhe pagat tjera, si në sektorin privat ashtu edhe në atë shtetëror. Dhe vlerësojnë se shporta, që e përllogaritin ne si LSM, duhet ta kritikojnë si të tillë dhe të japin mbështetje një të treti për ta llogaritur atë”.
Sindikatat propozuan që paga minimale të rritet në 450 euro, ndërkaq propozimi i Konfederatës së Biznesmenëve, ishte që të ketë rritje të pagës prej 1000 deri në 9000 denarë, me kusht që Qeveria të ndihmojë përmes kontributeve sociale në afat prej një viti. Megjithatë, këto propozime janë hedhur poshtë nga Qeveria.
Teuta Buçi /SHENJA/