Edhe pse mbi ta rëndon akuza për grabitje dhe vrasje mizore, të dyshuarit për vrasjen e 14 vjeçares Vanja Gjorçevskas dhe Pançe Zhezhoskit, nuk ndjehen fajtor për akuzat që u rëndojnë. Në seancën e parë të këtij gjykimi ata u deklaruan të pafajshëm dhe se nuk njihen mes vete. Akuza e prokurorisë thotë se që të dy tashmë të ndjerët janë qëlluar me pistoletë dhe më pas janë varrosur. Prokurorja e lëndës duke treguar në hollësi kronologjinë e ngjarjes që nga plani disa kohë më parë për vrasjet, e deri te rrëmbimi i Vanjas, shpjegoi se vajza ishte kidnapuar në dalje të banesës së saj, pasi paraprakisht të dyshuarit ishin informuar nga babai i Vanjas, Aleksandar Gjorçevski ,se atë ditë Vanja do të shkonte e vetme në shkollë, e pa shoqëruar nga e motra.
ZHAKLINA KËRSTEVSKA JOSIFOVSKA, PROKURORE E LËNDËS
“Pasi e kanë vendosur Vanjan në bagazhin e veturës, duart dhe këmbët e lidhura me kapëse plastike dhe me thes në kokë, në rrugën ‘Partizanska’ ja kanë thyer telefonin që të mos ketë sinjal dhe janë drejtuar në rrugën ‘Kaçaniçki Pat’. Në Vizbeg janë takuar me Pallçon dhe të gjithë së bashku janë drejtuar drejtë fshatit Brazda, ku e kanë vrarë Vanjan. Të dyshuarit në një gropë të hapur paraprakisht e kanë vendosur Vanjan. Pallço, me pistoletë e ka qëlluar në kokë. Më pas e kanë groposur, kurse veturën e kanë djegur”.
I dyshuari i parë i vrasjes Lupço Palevski mohon çdo lloj akuze që i ngarkohet. Ai madje mohon se është arratisur nga vendi pas vrasjes, por se është larguar për një kontrollë mjekësore. Rastin e quajti të montuar politikisht.
Lupço Palevski-Pallço, i akuzuar
“Ky prind në vend që të qaj për fëmiun e tij, nga policia i është bërë kurth që të krijohet motiv i rrejshëm dhe lidhje mes meje dhe tij. Unë nuk e njoh Aleksandar Gjorçevskin. Unë kam qenë i kidnapuar 7 ditët e para. Më kanë sjellë më 15 maj në burg në Shkup, por 7 ditë nuk kam pasur asnjë akt. Më pas më sollën me media, me ‘kallashnikov’, 6 persona më mbajtën, gjykatësi i procedurës paraprake ka kryer vepër penale. Ky rast është i montuar politikisht”.
Babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, poashtu i akuzuar në këtë rast me zë të ngjirur, që mezi formulonte fjalinë, tha se ndjen dhimbjë të madhe.
Aleksandar Gjorçevski, babai i Vanjas
“Ndjej dhimbje që nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Por, në këtë proces do të ndihmoj që të zbardhet plotësisht me emra dhe mbiemra”.
Avokati i tij thotë se Gjorçevski është viktimë në këtë rast dhe u ankua në gjykatë se ndaj klientit të tij është ushtruar dhunë nga ana e zyrtarëve policor.
Vlladimir Tufegxhiq, avokat i Aleksandar Gjorçevskit
“Aleksandri është viktima, ai është i dëmtuar në këtë pocedurë, vërtetoj se çdo prind që do i ndodhte kjo gjë do të ndërmerrte ato që i ka ndërmarr ai, do të bënte hetim të posaçëm. Jeni dëshmitarë se prokuroria bazohet pikërisht në provat e Aleksandrit me njohuri dhe pajtim të zyrtarëve policorë për të cilët kërkoj të merren në pyetje, të shohim se kush e ka udhëhequr procedurën”.
Gjykata nuk e pranoi kërkesën e Prokurorisë që opnioni të përjashtohet nga i gjithë gjykimi, kërkesë kjo që tek prokuroria ishte bërë nga nëna e Vanjas Zorica Gjorçevska, përshkak të siç ka theksuar ajo të ruhet privatësia e saj dhe e motrës së Vanjas dhe përshkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore, me çka kishte paraqitur edhe raport mjekësor.
Seanca do të vazhdoj më 7 tetor me dëgjimin e dëshmitarëve të prokurorisë. E para në këtë listë, është nëna e Vanjas, Zorica Gjorçevska.
Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski, të cilët u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023. Për vrasjet e tyre të dyshuar janë Lupço Palevski-Pallço, Vllatko Kekishov, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Aleksandar Gjorçevski.
Emine Ismaili /SHENJA/