Nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik, gjatë këtyre ditëve po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku në kuadër të 21 Dhjetorit – Ditës së Arsimit Turk, ka realizuar takime të rëndësishme me sektorin civil dhe përfaqësuesit politikë në vend.
Në kuadër të vizitës së tij, dyditore në Maqedoninë e Veriut, nënkryetari i TIKA-s, Dr. Mahmut Çevik, gjithashtu ishte pjesëmarrës edhe në hapjen solemne të projektit për “Rikonstruimin dhe Pajisjen e Hapësirave Arsimore të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Turke”, për degën e Turkologjisë, pranë universitetit “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, ku u prit nga nikoqiri, Prof. Dr. Osman Emin.
Përveç kësaj, Dr. Çevik, gjithashtu gjatë ditës së djeshme, kishte takim edhe me kryetarin e Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, Limko Bejzarovski, si dhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, ku u diskutuan tema të rëndësishme për vendin tonë.
Gjithashtu, nënkryetari i TIKA-s, Çevik, mbrëmë kishte fjalë përshëndetëse edhe në konferencën me temë: ”Gjuha dhe kultura turke në Balkan”, të organizuar nga TIKA dhe MATUSITEB në Shkup. Ndërkaq, në kuadër të takimeve politike, nënkryetari i TIKA-s, Dr. Mahmut Çevik, kishte rastin që të realizojë disa takime me përfaqësues të lartë shtetërorë, ku pas atij me kryeparlamentarin e vendit, Afrim Gashi, u takua edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Turke – TDP, Bejxhan Iljas, njëherazi edhe deputet i Frontit Europian, si dhe me deputetin Salih Murat.
Dr. Çevik, gjatë ditës së djeshme, po ashtu realizoi bashkëbisedim edhe me kryetarin e Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi-Zejdi.
Më tutje u prit edhe nga presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, ku u bisedua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa mes tjerash u potencua edhe roli dhe kontributi i jashtëzakonshëm i TIKA-s në vend dhe rajon.
Ditë më parë, nënkryetari Çevik, mori pjesë në eventin poetik të 140 vjetorit të lindjes së poetit shkupjan, Jahja Kemal Bejatllë, që u organizua nga Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke – MATUSITEB.
Vizita dyditore e nënkryetarit të TIKA-s, Dr. Mahmut Çevik, përkon edhe me rastin e festës së 21 Dhjetorit – Ditës së Arsimit Turk, ku në shumë vendbanime në vend, kjo ditë po kremtohet për hir të arsimit turk. /SHENJA/