Falja e të akuzuarve për trazirat e vitit 2021 në Kapitol, tërheqjen e SHBA-së nga OBSH-ja, pezullimi i ndihmave ndërkombëtare dhe shpallja e emergjencës kombëtare në kufirin jugor, janë vetëm disa nga vendimet sfiduese që solli presidenti i ri amerikan, Donald Trump, në ditën e parë në detyrë. Në një urdhër ekzekutiv, Trump nënshkroi faljen e të akuzuarve për trazirat e 6 janarit të vitit 2021në Kapitolin e SHBA-së. Me një urdhër tjetër ekzekutiv të nënshkkruar, Trump pezulloi përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë, në pritje të një shqyrtimi për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politike.
Donald Trump, President i SHBA-së
“Industria e ndihmës së huaj dhe burokracia nuk janë në përputhje me interesat amerikane dhe në shumë raste janë të kundërta me vlerat amerikane dhe shërbejnë për të destabilizuar paqen botërore duke promovuar ide në shtetet e huaja që janë drejtpërdrejt të kundërta me marrëdhëniet harmonike dhe të qëndrueshme brenda dhe ndërmjet shteteve”.
Po ashtu, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke shpallur një emergjencë kombëtare në kufirin jugor të SHBA-së, që hap rrugën për të vendosur trupat amerikane atje. Masa synon gjithashtu të godasë imigracionin. Ndër urdhrat tjerë ekzekutivë të nënshkruar nga Trump, është përfundimi i nënshtetësisë së të drejtës së lindjes dhe përkufizimi i kësaj të drejte sipas Kushtetutës amerikane.
Donald Trump, president i SHBA-së
“Të gjitha hyrjet e paligjshme do të ndalen menjëherë dhe ne do të fillojmë procesin e kthimit të miliona e miliona të huajve kriminelë në vendet nga kanë ardhur”.
Një urdhër tjetër tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke deklaruar se agjencia globale e shëndetësisë kishte keqmenaxhuar pandeminë e COVID-19 dhe kriza të tjera ndërkombëtare të shëndetit. Trump edhe më herët kishte paralajmëruar një ndryshim të madh në qeverinë amerikane që pritet gjerësisht të dërgojë valë tronditëse në shoqërinë amerikane dhe botën. Trump tha se SHBA i ka paguar 500 milionë dollarë agjencisë së OKB-së. Ai nënshkroi një tjetër urdhër ekzekutiv për tërheqjen e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për klimën dhe një letër që do t’i dërgohet OKB-së duke shpjeguar tërheqjen nga traktati.
Trumpi, 78 vjeç, bëri betimin si president të hënën në ndërtesën e Kapitolit dhe, gjatë ceremonisë, ai e portretizoi veten si një shpëtimtar të zgjedhur nga Zoti për të shpëtuar një komb në rënie.
Teuta Buçi /SHENJA/